Blic për Jabllanoviqët: Babai spiun, i biri dallaveraxhi

Autori:Avdyl Pajaziti

E përditshmja serbe “Blic”, mëson se kryeministri serb Aleksandar Vuçiq gjatë një takimi të djeshëm të Qeverisë, ka shkarkuar Dragan Jabllanoviqin nga kryesia e autoritetit të përkohshëm të komunës së Leposaviqit në Kosovë, transmeton lajmi.net.

Dragan është babai i Aleksandar Jabllanoviq, i cili së fundmi është  zëvendësuar nga pozita e kryetarit të Listës Serbe nën dyshimin për përfshirje në krim.

Aleksandar siç është raportuar më parë, gjatë vitit të kaluar kishte marrë hua nga Ramush Haradinaj një shumë të majme të hollave që kapin vlerën e 100.000 eurove, duke thënë se i nevojiten për Listën Serbe, derisa paratë i kishte mbajtur për vete.

Ndërkaq Dragan gjatë një takimi në Beograd dhjetë ditë më parë, kishte kërcënuar se do të zbulojë informacione mbi qeverinë e Serbisë, të cilat ia kanë dhënë dy agjenci të huaja të inteligjencës, si dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës.

Edhe pse Dragan më parë e kishte mbrojtur me qetësi të birin, por kur debati shpërthej dhe u ngritën tensione ai filloi të kërcënojë në forma tjera.

“Nëse nuk e leni të qetë Aleksandrin, do të fillojë të flasë! Dhe ju sigurojë se kam çfarë të flasë! Madje dy agjenci të huaja të inteligjencës më kanë dhënë informacione në lidhje me marrëveshjet e fshehta me zyrën e Prishtinës. Jam takuar edhe me Selimajn (Agron Selimaj, drejtor i Shërbimit Informativ të Kosovës), kështu që më mirë të mos iu tregojë se çfarë di për qeverinë e Serbisë”, ka përcjellë fjalët e Draganit një burim i afërt me të përditshmen serbe.

Por Dragan nuk është ndalur me kaq, madje ka kërcënuar se ka regjistruar gjitha takimet e zyrtarëve nga Beogradi me politikanët serbë nga Kosova, si dhe posedon disa incizime të bisedave telefonike.

Në ditën e fundit të muajit shtator e gjithë situata ndryshoi. Dragani i ka dorëzuar qeverisë së Serbisë një kërkesë për shkarkimin e tij si president i autoriteteve të përkohshme në Leposaviq.

Siç është bërë e ditur kjo kërkesë për shkarkim nuk është dorëzuar me vullnetin e tij, por nga urdhrat e autoriteteve në Beograd, të cilave kësaj radhe u është bindur.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/blic-per-jabllanoviqet-babai-spiun-i-biri-dallaveraxhi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala