Blerja e Jabllanoviqit nga AAK-ja, ishte përfolur brenda ish-bllokut VLAN

Autori:Avdyl Pajaziti

Dje mediet serbe raportuan se lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e kishte blerë liderin e deritashëm të Listes Serbe, Aleksandar Jabllanoviqin, me 100 mijë euro para zgjedhjeve parlamentare.

Edhe pse kjo u mohua nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, burime brenda ish-bllokut VLAN për ORAinfo tregojnë se kjo gjë ishte përfolur edhe brenda grupeve të partive opozitare që përafronin qëndrimet politike.

Madje, njëri prej nënkryetarëve të AAK-së, që nuk ka marrë vota të mjaftueshme për t’u bërë deputet, kishte shprehur siguri të madhe që përkundër presioneve të ambasadave mbi lidershipin serb, Jabllanoviqi është i sigurt dhe nuk ndryshon qëndrim.

“Nuk e dimë pse AAK-ja kishte aq siguri te Jabllanoviqi, por përflitej se e kishin blerë dhe se ishte pjesë e disa marrëveshjeve biznesore. Ndoshta vetëm e kanë joshur për ta mbajtur afër. Ne nuk dinim shumë për raportin e afërt të AAK-së me Jabllanoviqin personalisht, mirëpo sa herë që ka fol edhe Ramushi për Listën Serbe, thoshte se nuk ndryshon anë Jabllanoviqi”, thotë ky burim për ORAinfo.

Sipas tij, përflitej se bashkë me Fatmir Shehollin, që ishte sekser i AAK-së për Listën Serbe dhe me disa njerëz të AAK-së, Jabllanoviqi ishte përfshirë edhe në disa shit-blerje të tokave të serbëve në Kosovë.

Ndryshe, AAK-ja në reagimin e saj ndaj shkrimeve të medieve, ka akuzuar qeverinë Mustafa, se këto informacione po shpiken prej tyre.

Ndërsa, sipas gazetës serbe Blic, kur Haradinaj kishte kuptuar se Jabllanoviqi i ka marrë paratë vetëm për vete, ai kishte kërkuar edhe nga përfaqësuesit e Beogradit në Kosovë, që t’ia kthenin borxhin.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/blerja-e-jabllanoviqit-nga-aak-ja-ishte-perfolur-brenda-ish-bllokut-vlan/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala