Biznesi “Kuq e Zi”

Autori:Avdyl Pajaziti

Rreth 7.5 milionë euro janë të ardhurat e pritshme të Federatës Shqiptare të Futbollit për sezonin 2014-2016. Rreth 5 milionë euro janë të drejtat televizive, 1 milionë euro shitje e biletave (dyfishim nga sezoni i mëparshëm) dhe 1.5 milionë euro nga sponsorët, sipas burimeve zyrtare nga FSHF. Pasi Kombëtarja Kuq e Zi (e cila merr dhe pjesën më të madhe të të ardhurave) realizoi ëndrrën për t’u bërë pjesë e Kampionatit Europian, FSHF vlerëson që të ardhurat pritet të rriten të paktën 50% në sezonin 2016-2018.
“Rritja vjen nga të gjitha drejtimet: për faktin që pasi jemi kualifikuiar do të kemi mundësinë të bëjmë miqësore më cilësore, shitja e ‘merchanidising’ vjen në rritje, (në momentin që flasim është trefishuar dhe presim të rritet)”, thotë Gazmend Malo, drejtor marketing i FSHF-së. Ai shton se biletat janë tashmë shitur për çdo ndeshje, por “ne do të kemi një sjellje të ekulibruar edhe këtu pasi do të evitojmë në maksimum çdo situatë abuzive në çmime biletash, et. Në parim ne kujdesemi që çdo marrëdhënie midis Kombëtares, tifozëve dhe partnerëve të jetë konstante dhe afatgjatë, pra kemi ndërtuar diçka domethënëse përgjatë këtyre viteve dhe realisht kemi një situatë të kënaqshme”.
Rritjes së entuziazmit të të gjithë shqiptarëve, po i shkojnë nga pas edhe sponsorët. Në këto moment ka jashtëzakonsiht shumë kërkesa nga të gjitha bizneset në Shqipëri dhe Kosovë dhe shumë biznese që operojnë në dy vende njekohësisht (Greqi, Kosovë etj). Malo thotë se raportet me sponsorët duhen menaxhuar me shumë kujdes. “Normalisht shifrat do të rriten, por ne do të ruajmë raportin dhe besnikërinë me kompanitë që kanë qenë sponsor dhe na kanë mbështetur gjithmonë”.
FSHF pret të paktën një rritje prej 50% nga sponsorët, ndërsa shifra e të drejtës televizive është tashmë e centralizuar dhe fikse, pavarësisht se në përqindje të vogla mund të ketë luhatje.
Pjesa më e madhe e të ardhurave shkojnë për pagat e lojtarëve dhe trajnerit, ndërsa të konsiderueshme janë dhe shpenzimet për gjurmueshmërinë e talenteve. Federata funksionon si një OJF, me shpenzimet që janë të barabarta me të ardhurat, ndaj sa më shumë të rriten këto të fundit, aq më shumë ka mundësi FSHF të investojë më tej, për ta çuar futbollin shqiptar në një tjetër nivel. Investimet do të rriten edhe për klubet shqiptare./Monitor.al./
BILANCI- TE ARDHURAT DHE SHPENZIMET E FSHF
TE ARDHURAT
E drejta televizive:
Sezoni 2008 – 2010 – vlerësim: jo më shumë se 2 – 2.5 mln euro
Sezoni 2010 – 2012 – 5 mln euro
Sezoni 2012 – 2014 – 2 mln euro
Sezoni 2014 – 2016 – 5 mln euro

Biletat:
Sezoni 2008 – 2010 – rreth 800 mijë euro
Sezoni 2010 – 2012 – rreth 500 mijë euro
Sezoni 2012 – 2014 – rreth 500 mijë euro
Sezoni 2014 – 2016 – rreth 1 mln euro
Sezoni 2016 – 2018 – vlerësim 1 – 1.2 mln euro

Sponsorizimet:
Sezoni 2008 – 2010 – rreth 1 mln euro
Sezoni 2010 – 2012 – rreth 1 mln euro
Sezoni 2012 – 2014 – rreth. 1.3 mln euro
Sezoni 2014 – 2016 – rreth 1.5 mln euro
Sezoni 2016 – 2018 – vlerësohet rritje 50 – 100%

SHPENZIMET
-shpenzimet më të mëdha janë për pagat e lojtarëve dhe trajnerit dhe gjurmimin e talenteve.
-Fluturime Charter: Për çdo sezon janë rreth mbi 300 mijë euro.
-Hotel: Për çdo grumbullim jashtë Shqipërisë mbi 200 mijë euro vetëm për Ekipin A, pra kombëtarja.
-Për çdo grumbullim brenda: grumbullim dhe shpërndarje e lojtarëve – mbi 150 mijë euro në sezon.
Në vlerën 50% të këtyre shpenzimeve janë për të gjitha ekipet më poshtë për secilin:
Kombetarja U21,
Kombetarja U19
Kombetarja U17
Kombetarja Futsal
Kombetarja A Femra
Kombetarja U19 Femra
Burimi: FSHF

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/biznesi-kuq-e-zi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala