Bizneset turke interesohen për të investuar në Kosovës

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministrja Bajrami ka takuar Rifat Hisarciklioglu, zëvendëspresident i Asociacionit të Odave Ekonomike Evropiane (Eurochamber) dhe president i Unionit të Odave të Turqisë (TOBB), organizata më e madhe e bizneseve në Turqi që përfaqëson 365 asociacione të biznesit dhe mbi një milion kompani turke.

Në takim mori pjesë edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu dhe një delegacion i TOBB-it.

Duke falënderuar Hisarciklioglu për vizitën e tij të parë në Kosovë, Ministrja Bajrami e informoi mysafirin nga Turqia për zhvillimet ekonomike në Kosovë dhe angazhimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmirësimin e klimës së biznesit dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Ajo shtoi se me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe të Marrëveshjes për Tregti të Lirë me Turqinë do të krijohet një momentum i ri për bizneset e të dyja vendeve për të rritur bashkëpunimin dhe për të investuar në projekte të reja.

Ministrja Bajrami theksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në thellimin e bashkëpunimit publiko-privat dhe shtoi se Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik është një forum i rëndësishëm që mundëson një bashkëpunim të tillë.

Roli i asociacioneve të biznesit dhe në veçanti i Odës Ekonomike të Kosovës është i një rëndësie të veçantë në mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesave të biznesit privat.

Ministrja Bajrami shprehu mirënjohjen e saj për angazhimin e Hisracilioglu në anëtarësimin e Odës Ekonomike të Kosovës në Eurochamber dhe ofroi përkrahjen e plotë të Qeverisë së Kosovës për këtë proces.

Rifat Hisarcıklıoğlu nga ana e tij tha që po e realizon vizitën e tij të parë në Kosovë me një mision të rëndësishëm për të parë nga afër zhvillimet ekonomike në Kosovë dhe për të përgatitur një raport specifik për anëtarësimin e Odës Ekonomike të Kosovës në Eurochamber.

Duke folur në cilësinë e presidentit të Unionit të Odave të Turqisë, z. Hisarcıklıoğlu shprehu interesimin e shtuar të firmave turke për të investuar në Kosovës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/bizneset-turke-interesohen-per-te-investuar-ne-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala