Bizneset s’kanë ku të ankohen

Autori:Gazeta Fjala

Bizneset të cilat do të kenë konteste ligjore me Doganat dhe Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), nuk kanë më ku të ankohen.

Kjo për shkak se Ministria e Financave ka marrë vendim për shuarjen dhe marrjen e mandatit të Bordit të Pavarur për Rishqyrtimin e Ankesave (BPRA).

BPRA kishte mandate deri në fund të këtij viti për përmbarim të disa lëndëve të mbetura. Para shuarjes të gjithë tatimpaguesit e pakënaqur me vendimet e ATK-së dhe DK, kanë pasur mundësi ligjore t’i kontestojnë ato në dy shkallë në procedurë administrative dhe në dy shkallë në procedurë gjyqësore.

Pavarësisht deklarimeve të vazhdueshme të ministrit të Financave, Avdullah Hoti se do të krijojë bazën ligjore në mënyrë që ky bord të jetë funksional, sipas KP nuk duket se është marrë seriozisht, pasi në përgjigjet zyrtare të Ministrisë që ai drejton thuhet se ndryshimet ligjore e kanë imponuar shuarjen e bordit.

“Një gjë e tillë është imponuar në bazë të Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat, me të cilin ligj është përmbyllur mandati i Bordit të Pavarur për Rishqyrtime dhe Ankesa më 31.12.2014. Të gjitha përgjegjësitë dhe kompetencat e këtij bordi kanë kaluar në Gjykatën Themelore, departamenti për çështje administrative – Divizioni fiskal”, thuhet në përgjigjet e zyrtarëve të MF-së.

Po ashtu, zyrtarët e kësaj ministrie kanë thënë se për t’u rikthyer çështja e Bordit të Pavarur për Rishqyrtimin e Ankesave, kërkohen ndryshime të reja legjislative të cilat do ta funksionalizonin një organ të tillë.

”Përderisa nuk ka ndryshim të tillë në ligje, ministri i Financave dhe Qeveria nuk mund ta autorizojnë fillimin e punës së një Bordi të tillë. Inventari i cili ka qenë i shfrytëzuar nga ana e ish-Bordit ekziston akoma. Të gjitha lëndët e pazgjidhura nga Bordi të pranuara para datës 30 nëntor 2012 janë shqyrtuar dhe është vendosur lidhur me to nga ana e bordit dhe nuk ka asnjë lëndë të pashqyrtuar.”, thuhet në përgjigjen e zyrtarëve për informim të MF-së.

Përfaqësues nga komuniteti i bizneseve kanë kërkuar në vazhdimësi rifunksionalizimin e bordit.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka tha për KosovaPress se në fillim të këtij viti Oda Ekonomike Amerikane bashkë me Odën Ekonomike të Kosovës kanë nxjerrë një qëndrim të përbashkët përmes të cilit kanë kërkuar nga Ministria e Financave dhe Qeveria që të rifunksionalizojë sa më shpejt që të jetë e mundur bordin e pavarur për rishqyrtime, meqenëse ata kanë vlerësuar se duhet të ketë një organ të pavarur tek i cili adresohen të gjitha ankesat të cilat komuniteti i biznesit ka ndaj ATK-së edhe Doganave.

“Ne besojmë se mënyra se si momentalisht funksionon mekanizmi i adresimit të ankesave që do të thotë ka aty disa shkallë. Ka një shkallë të adresimit të ankesave edhe brenda ATK-së edhe brenda doganave nuk e ofron pavarësinë të cilën do ta afronte b ordi i pavarur për rishqyrtime… Kemi parë përfitime të mëdha dhe kjo natyrisht na është përcjellë nga ana e bizneseve në të kaluarën kur ka funksionuar bordi i pavarur për rishqyrtime që ka pasur një zgjidhje objektive edhe të pavarur të të gjitha ankesave që bizneset kanë pasur ndaj ATK-së dhe doganës… Sidomos duke e ditur anën tjetër që Gjykata Themelore departamentet përkatëse për trajtimin e çështjeve fiskale nuk janë shumë efikase atëherë natyrisht kjo e bënë shumë urgjente ri funksionalizimin sa më i shpejtë të bordit të pavarur për rishqyrtime”, tha Zeka.

Edhe Aleanca Kosovare e Bizneseve(AKB) në fillim të javës ka kërkuan nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës riaktivizimin e Bordit të Pavarur për shqyrtimin e ankesave nga bizneset.

Nënkryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Suat Berisha, tha se arsyeja kryesore e kërkesës për rikthimin e mandatit të Bordit të Pavarur, është se shuarja e tij si organ i shkallës së dytë në procedurë administrative ishte në kundërshtim me Ligjin dhe pa bazë ligjore.

“Arsyeja e kërkesës për vazhdimin e mandatit të Bordit të Pavarur, është se shuarja e tij si organ i shkallës së dytë në procedurë administrative është në kundërshtim me Ligjin nr. 02/L-28 për procedurën administrative, për arsye se ankesa si mjet i rregullt juridik në procedurë administrative me Ligjin e cituar garantohet në dy shkallë, dhe nuk ka pasur bazë ligjore që nga 1 janari 2013, Gjykata Themelore të merr përgjegjësitë e Bordit”, thotë Berisha.

Skender Kolgeci, ish kryetar i Bordit të Ankesave tha nëpërmjet telefonit se arsyen pse është shuar dhe pse nuk po i kthehet mandati ligjor i Bordit, sipas kërkesës së komunitetit t ë biznesit të parashtruar në mënyrë publike, duhet ta kërkoni tek ata që kanë vendosur për një vendim të këtillë për shuarje.

“Ajo çka unë mund të them, është fakti se para shuarjes së Bordit, të gjithë tatimpaguesit e pakënaqur me vendimet e ATK-së dhe DK, kanë pasur të drejtën ligjore t’i kontestojnë ato në dy shkallë të procedurës administrative dhe në dy shkallë në procedurë gjyqësore. Së pari në procedurë administrative, shkalla e parë brenda këtyre dy institucioneve, dhe pastaj shkalla e dytë në Bord”, tha Kolgeci.

Ai po ashtu konsideron se vendimi politik për shuarjen e bordit që pastaj kaloj në ligj nuk ka pasur bazë ligjore. Sepse sipas tij, tatimpaguesve u mungon një shkallë e së drejtës ankimore në procedurë administrative që iu garantohet po me Ligjin Nr.02/L-28.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/bizneset-skane-ku-te-ankohen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala