Bizneset shqiptare të mbytura në borxhe

Autori:Avdyl Pajaziti

Të marra nga miqtë, në tregun informal, tek ortakët, ndaj të tretëve, furnitorëve apo në banka, bizneset e mëdha shqiptare rezultojnë të zhytura në borxhe (detyrime), ndërsa kanë nivele minimale kapitali. Një tregues ky i informalitetit të lartë, gjendjes së vështirë të bizneseve, financimit me burime të panjohura, problemeve në raportimin kontabël, shmangies dhe evazionit fiskal, moszbatimit të parimeve të qeverisjes së korporatave (për SHA-të), alternativës së kufizuar të financimit (varësia nga bankat), por dhe i mungesës së vizionit të shumë bizneseve, që janë mjaftuar me fitimet e momentit. E gjithë kjo situatë rrezikon të kthehet në një bumerang në të ardhmen afatmesme, kur bizneset do ta gjejnë të vështirë të sigurojnë burime të tjera financimi përballë nevojës së padiskutueshme për t’u rritur dhe për të investuar në teknologji, në mënyrë që të bëhen më konkurrues, teksa do të përballen me sipërmarrjet e sofistikuara të Bashkimit Europian, pjesë e të cilit do të bëhet dhe Shqipëria në afatin e gjatë. Ndërsa zhvillimi i tregjeve financiare, që do siguronin burime alternative kapitali (bursës), duket vetëm një ëndërr e bukur.

Qendra e Kërkimeve Monitor ka përpunuar të dhënat e bilanceve të vitit 2013 për 200 kompanitë më të mëdha sipas qarkullimit vjetor (përjashtuar institucionet financiare) të dorëzuara në QKR dhe ka nxjerrë treguesin e detyrimeve mbi kapitalin, që tregon se sa pjesë e aktivitetit financohet nga fondet e vetë kompanisë dhe sa me borxhe (shiko tabelën kryesore në faqet në vijim).

Nga përpunimi i të dhënave rezulton se nga 200 kompanitë më të mëdha sipas qarkullimit vjetor (përjashtuar institucionet financiare) 51% kanë një raport të detyrimeve ndaj kapitalit më të lartë se 1.5, sa është dhe kufiri maksimal, ku një sipërmarrje vlerësohet se ka aktivitet të qëndrueshëm. 4% e kompanive janë me kapital negativ, ndërsa pjesa tjetër e ka këtë tregues të qëndrueshëm.

Në listën e 200 sipërmarrjeve më të mëdha sipas xhiros ka sipërmarrje që e kanë raportin detyrime ndaj kapitalit edhe mbi 5 apo 10.

Nga kompanitë me aktivitet të qëndrueshëm, sipërmarrjet e naftës dhe ato të tregtisë e kanë këtë tregues më të lartin. Si ndërmarrje që nuk punojnë me kapital intensiv, kjo gjithsesi nuk shihet si problematike.

Luigj Aliaj i Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve pohon se kompanitë e karburanteve e mbulojnë aktivitetin me naftë dhe jo me kapital. Sidomos gjatë periudhës së verës, kur ka shumë qarkullim malli, sipërmarrjet i përdorin në maksimum linjat e kreditit. Megjithatë, ai pohon se e rëndësishme për kompanitë e naftës është që detyrimet afatgjata të mos jenë më të larta se kapitali, sepse atëherë kompania është praktikisht e falimentuar. Kastrati, Europetrol Durrës Albania, Bolv-Oil e plotësojnë këtë kritere, ndërsa disa të tjera jo.

Nivelin më të përkeqësuar të levës financiare nga 200 kompanitë në shqyrtim e ka kompania Tea Construction & Petrol, ku detyrimet janë 175 herë më të larta se kapitali. Pasi pa një rritje të fortë të xhiros në 2013-n, ku katërfishoi aktivitetin e saj në 2013-n, duke arritur një qarkullim vjetor prej 8.7 miliardë lekë, kompania duket praktikisht e falimentuar. Rritja përmes borxheve nuk rezulton të ketë qenë e shëndetshme. Kuotat e aksionerit të vetëm të Tea Construction & Petrol janë vënë nën sekuestro konservative më 15 korrik të këtij viti, sipas të dhënave nga QKR, pas një kërkese të kompanisë së naftës FIT MEK OIL. Aktorët e tregut të naftës dhe ndërtimit pohojnë se drejtuesit janë “zhdukur”, duke lënë pas detyrimet e papaguara, ndërsa as përmbaruesit nuk po arrijnë të gjejnë debitorët. Edhe Raiffeisen Bank ka kërkuar më 29 korrik vendosjen e sekuestros konservative për kompaninë, pasi kjo e fundit i ka një detyrim prej 510 mijë eurosh, sipas shkresës së përmbaruesit të dorëzuar në QKR (edhe pas ndryshimit të kushteve të kontratës).

Kapitale negative

Janë 8 kompani në listën e 200 më të mëdhenjve sipas xhiros, që kanë kapital negativ, që janë krijuar si rrjedhojë e kalimit të humbjeve në kapital.

Një rast tipik është CMB Albania (ish-Carrefour), që kishte detyrime tepër të larta (kryesisht ndaj furnitorëve, që arrinin në rreth 7 milionë euro), ndërsa humbjet i kishin gërryer kapitalin. Kompania u “shpëtua” pasi shoqëria Almark, pjesë e grupit Balfin, mori të drejtën e emrit Carrefour dhe filloi shlyerjen e detyrimeve ndaj furnitorëve. CMB Albania i kishte krijuar detyrimet si rrjedhojë e shpenzimeve të mëdha operative dhe mosstudimit të mirë të progresivitetit të shkallës së informalitetit në tregtinë me pakicë.

 

Ish CEZ Shpërndarje (sot OSHEE) është një tjetër kompani me një kapital negativ prej 66 miliardë lekësh në vitin 2013, si rrjedhojë e akumulimit të humbjeve të larta (nuk është botuar ende bilanci i 2014-s për të parë nëse ky tregues është përmirësuar).

“Rastet kur kapitalet e veta janë negative flasin për një situatë financiare të përkeqësuar, e cila nëse nuk ristrukturohet si duhet mund t’i vendosë shoqëritë tregtare para falimentimit, duke qenë se mungojnë burimet për të vazhduar më tej veprimtarinë”, pohon Hysen Çeka, president i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA).

Agim Binaj, kontabilist, pohon se ligji parashikon se për shoqëritë që janë me humbje kapitali, ka një ligj, sipas të cilit, nëse janë për 3 vite radhazi me humbje, atëherë shoqëria do të shkojë në faliment, “pavarësisht se ajo mund të thotë se unë mund të qëndroj në këmbë, por ligji shqiptar këtë e ka të prerë”./Monitor.al/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/bizneset-shqiptare-te-mbytura-ne-borxhe/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala