Bizneset sfidojnë shtetin, shtypin kuponë JO-FISKAL (Dokument)

Autori:Avdyl Pajaziti

Ndërsa konsumatorët gjithnjë e më tepër po vetëdijesohen për rëndësinë e mbledhjes së kuponëve fiskalë, meqë mund të rimbursojnë një shumë të shpenzimeve të tyre, jo të gjitha bizneset, dyqanet dhe supermarketet  po tregohen transparent dhe korrekt me klientët e tyre të rregullt, madje disa prej tyre po e sfidojnë edhe shtetin.

Dyqanet e vogla gjithandej, sidomos në periferi, më tepër janë të pritura për të mos dhënë kuponë fiskal, nëse një gjë e tillë nuk iu kërkohet nga klientët, porse këtë hezitim menaxherët e tyre e arsyetojnë me qarkullimin e vogël të mallit dhe hera-herës mungesën e arkave fiskale.

Ndërkaq dyqanet e mëdha, respektivisht supermarketet që kanë qasje më në qendër dhe ku ka frekuentim më të lartë të njerëzve dhe qarkullim më të madh të mallrave, nuk kanë se si t’i shmangen shtypjes së kuponëve fiskal, meqë një gjë e tillë u kërkohet pa hezitim nga qytetarët.

Por edhe këto të fundit kanë gjetur mënyra për t’iu shmangur Tatimit mbi Vlerën e Shtuat (TVSH), qoftë duke i deklaruar arkat fiskale të dalura jashtë funksionit, mosleximit të kodeve, mungesës së letrës etj., apo edhe vonesës së shtypjes së kuponëve, gjegjësisht ndarjes së tyre nga ‘pakoja’ e kthimit të kusurit.

Përderisa para muajit prill të këtij viti kasierët i hidhnin në shportë të gjithë kuponët e lënë nga klientët, tani faturat mblidhen dhe futen me kujdes në një sirtar pranë kacës së pazarit ditor, sepse kështu, siç thonë ata, i kanë porositur shefat.

Por ajo që bie në sy kohëve të fundit është dukuria e shtypjes së kuponave fiskal që mbajnë datën e para 16 viteve, pastaj mund t’iu mungoj fare emblema adekuate e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (RKS MEF), madje-madje vetë fatura të jetë KOPJE si dhe kupon JO-FISKAL.

Një gjë e tillë është vënë re javën e kaluar në tri filialet e supermarketit VIVA (‘Super Viva’, ‘Viva Fresh Store’ dhe ‘Viva’) në Fushë Kosovë. Një qytetar e ka vërejtur këtë fenomen të ri dhe na i ka ofruar për dëshmi këto parregullsi, të cilat mund t’i shihni poshtë këtij teksti.

Siç mund të shihet në tri faturat e shtypura nga tri filialet e ndryshme të VIVA-s në Fushë Kosovë, ato rrjedhimisht janë të pavlefshme për faktin se mbajnë datë nga viti 2000, ndërsa, për më keq, njëra prej tyre ka mbishkrimin KOPJE dhe kupon JO-FISKAL.

Rrjedhimisht, faturat e këtilla në mënyrë automatike duhet të jenë të përjashtuara nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), në rast të aplikimit për rimbursim nga ana e qytetarëve, dhe jo vetëm kaq: Kuponët JO-FISKAL duhet të jenë sfidë për ATK-në dhe shtetin.

Sipas rregullave të vëna nga ATK, rimbursimi ka filluar të bëhet nga muaji prill 2015, për çdo tre mujor pasues, ndërsa të gjitha faturat e më hershme apo që kanë kaluar kohën e dorëzimit në afat prej 30 ditësh nga secili tremujor, janë të pavlefshme dhe përjashtohen automatikisht nga rimbursimi në rast se janë në plikon e aplikimit për këtë qëllim. doku

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/bizneset-sfidojne-shtetin-shtypin-kupone-jo-fiskale-dokument/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala