Bizneset, 120 milionë euro kredi të këqija

Autori:Avdyl Pajaziti

Se gjendja e bizneseve nuk është e mirë në vend, tregon dhe raporti i Bankës Botërore “Të Bërit Biznes”, ku shihet se është shënuar rënie.

Po ashtu këtë gjendje e konfirmojnë edhe statistikat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), sa i përket kredive të këqija.

Sipas këtyre statistikave, kreditë e këqija janë 6.8 për qind apo në shumë prej 134.8 milionë euro, ku prej tyre rreth 119 milionë euro janë të bizneseve dhe rreth 16 janë të personave fizikë.

Edhe pse trendi i kredive të këqija ka pasur trend të rënies, aktualisht niveli i tyre është 6.8 për qind – shumica e kredive të këqija janë të bizneseve.

Ardita Begu, zyrtare për Protokoll dhe Komunikim në BQK, ka thënë për Telegrafin se Kosova ka rreth 135 milionë euro vlerë të kredive joperformuese.

Sipas një përllogaritje të thjeshtë, 118.94 milionë euro janë të bizneseve e vetëm 15.9 milionë janë të personave fizik.

“Kreditë joperformuese në shtator 2015 ishin 6.8 për qind. Vlera e kredive joperformuese në shumë paraqet vlerën prej 134.8 milionë euro. Në kontekst të strukturës, nga niveli prej 6.8 për qind, 6.0 për qind të kredive të këqija i takojnë bizneseve, ndërsa pjesa tjetër (0.8 për qind) i takojnë personave fizikë”, ka treguar Begu.

Sipas saj, kreditë joperformuese janë pasojë e aktivitetit bankar.

“Jetësimi i përmbaruesve privatë, cilësia më e mirë e kredive të reja si dhe mbikëqyrja më proaktive ndaj bankave mund të numërohen si faktorët kryesor në uljen e kredive joperformuese”, ka thënë Ardita Begu, zyrtare për Protokoll dhe Komunikim në BQK.

Kurse, Milazim Abazi, njohës i sistemit bankar thotë se është duke u përmirësuar trendi i kredive të këqija.

Sipas tij, nëse vazhdohet me këtë intensitet të punës, kreditë e këqija do të ulën edhe më tej.

“Arsye të uljes së pjesëmarrjes së kredive të këqija në totalin e kredive janë disa, por më të rëndësishmet janë: Rritja e kredive të reja, kujdesi dhe analiza më e mirë e bizneseve nga bankat me rastin e lejimit të kredive, funksionimi perfekt i Qendrës së Regjistrimit të Kredive pranë BQK-së, funksionimi goxha i mirë i përmbaruesve privatë”, ka thënë Abazi për Telegrafin.

Ndryshe kreditë e këqija në vazhdimësi kanë qenë të luhatshme, por e mira është se çdo herë kanë shkuar duke rënë.

Ato, në vitin 2013 ishin 8.7 për qind, në vitin 2014 ishin 8.3 për qind, aktualisht janë vetëm 6.8 për qind.

Shuma e kredive në sektorin bankar nga rreth 460 mijë kredi aktive, janë 1.965 miliard euro kredi, ndërsa depozita janë 2.649 miliardë euro./Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/bizneset-120-milione-euro-kredi-te-keqija/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala