Bit Pazari bashkon ballkanasit

Autori:Avdyl Pajaziti

Harta e Shqipërisë etnike, që ua konteston fqinjëve kufijtë, dhe flamuri maqedonas shtrirë në kanotiere janë varur në dërrasën vendosur në trotuarin ndanë rrugës me kalldrëm e granit në Bit Pazar. Shitësi ambulant nuk preferon të flasë për mallin.

“I shes për idare. Politika nuk është punë për mu”, është i prerë tregtari.

Në zonën përreth ka edhe tregtarë të tjerë shqiptarë që shesin gjësende të imëta, si mbajtëse për çelësa, me flamuj të dy etnive më të mëdha në ish-republikën jugosllave të Maqedonisë. Nuk duhet të ecni më shumë se dy minuta që të shihni si një shitës tjetër ofron një dorëz boksi me flamur shqiptar dhe tjetrën me flamur maqedonas. Ngjyrat kanë humbur shkëlqimin prej rrezeve të diellit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ata thonë se nuk ka vend tjetër në Maqedoni ku mund të shihni bashkëpunim më të mirë ndërmjet anëtarëve të etnive të ndryshme. Shumica e tregtarëve dhe myshterinjve janë shqiptarë.

Vetëm një pëlhurë e hollë e zezë ndan tezgat e një tregtari shqiptar dhe kolegut të tij rom. Pjesa më e madhe është përvjelë që të bëjnë muhabet kur nuk ka myshterinj.

“Shumica e tregtarëve, apo rreth nëntëdhjetë për qind janë shqiptarë, por ka edhe të etnive të tjera”, thekson Nusret Sahiti (30), prapa tezgës ku ka vendosur sandale. “Raportet janë shumë të mira me të gjithë”, shton Sahiti. Fjalët e tij miratohen prej Kenanit, tregtar rom, që di pak fjalë shqip. “Unë jam rom”, arsyetohet Kenani. “Baba flet mirë”.

Nuk bëjnë punë lutjet e Nusretit që Kenani të tregojë edhe mbiemrin. Të dy konfirmojnë se ka më shumë se njëzetë vjet që prindërit e tyre tregtojnë me tezgat ngjitur në pazarin më të njohur të kryeqytetit të shtetit fqinj. Kenani shet pëlhura të ngjyrave të ndryshme që shpalosen prej grave.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/bit-pazari-bashkon-ballkanasit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala