Bisedime të nxehta në Bruksel

Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel po zgjasin më shumë se katër orë, ndërsa raportohet se atmosfera është e tensionuar dhe se dialogu pritet të zgjasë edhe disa orë tjera.
Siç raporton B92 nga Brukseli, është arritur vetëm memorandumi për mirëkuptim lidhur me sigurimin e automjeteve, derisa çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe mbetet në pikën zero, pasi që palët nuk kanë ndryshuar qëndrim.
“Atmosfera është e tensionuar dhe e rëndë për shkak të pritjeve të mëdha nga bisedimet”, thotë Dejan Vladisavjeviq nga Zyra për Kosovën.
Sipas tij, në pjesën e dialogut për energjetikën pala kosovare ka tentuar “të dalë nga pjesa e bisedimeve teknike”.
“Kanë tentuar që të kalojnë në çështjen e pasurisë, që me një hap të zgjidhet çështja e Gazivodës, Valaçit dhe që sistemi distributiv në veri të Kosovës të merret nga serbët dhe të kalojë në pronësi të tyre. Qëndrimi i palës sonë është që kjo çështje nuk mund të diskutohet. Përfaqësuesit e BE-së po tentojnë që të gjejnë kompromis për të dyja palët”, ka thënë Vladisavjeviq.