Bien normat e interesit

Autori:Avdyl Pajaziti

Normat e interesit të kredive kanë arritur nivelin më të ultë që nga periudha e pasluftës, mesatarisht janë 9.3 për qind.

Por edhe normat e interesit në depozita kanë rënë ndjeshëm krahasuar me vitet paraprake. Drejtori i shoqatës së bankave, Petrit Balija thotë se ky trend do të vazhdojë.

Sektori bankar i Kosovës edhe më tej luan rol të rëndësishëm për ekonominë vendore. Kreditimi i cili kishte ngecur gjatë viteve 2013 dhe 2012, tashmë ka filluar të shënojë rritje. Vitin e kaluar kreditë arritën vlerën rreth 1.9 miliardë euro, me një ngritje prej 4.2 për qind në krahasim me vitin 2013. Në mënyrë të ngjashme depozitat shënuan një rritje prej 3.6 për qind, duke arritur vlerën prej 2.5 miliardë euro. Ndërkohë, ka vazhduar edhe rënia e interesit si të kredive, ashtu edhe të depozitave, thotë për radio Kosovën drejtori i shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija.

“Në fund të vitit 2014 dhe fillim të vitit 2015 për herë të parë kemi vërejt normat njëshifrore të interesit në kredi, ku norma mesatare për kredi ka rënën nën 9.3 për qind. Njëkohësisht vërejmë edhe rënie të normës së interesit për depozita në një nivel më të ultë sesa më herët. Kjo është si rezultat shtimit të likuiditetit më të lartë të bankave”, thotë ai.

Balija thotë se ky trend i rënies së interesave si në kredi po ashtu edhe në depozita do të vazhdojë. Nga ana tjetër, drejtori i Institutit GAP, Agron Demi vlerëson pozitivisht uljen e normave të interesit në kredi, por thekson se për disa kategori janë ende të larta.

“Ajo që mbetet shqetësuese sidomos nga pikëpamja e bizneseve është që interesat e kredive për biznese sidomos në fushën e bujqësisë janë ende të larta dhe ky është shqetësimi kryesor, që qeveria e Kosovës ka premtuar se do ta zgjidhë duke dhënë garanci shtesë për ata që marrin kredi në fushën e bujqësisë”, thotë Demi. rtk

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/bien-normat-e-interesit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala