Bien aksionet në Kinë, ulet çmimi i naftës në botë

Autori:Gazeta Fjala

Në Kinë, bursa pësoi një tjetër goditje, duke u mbyllur me një rënie prej 7.6 përqind. Shqetësimet rreth ekonomisë së Kinës kanë çuar në rënien e çmimeve të aksioneve dhe të naftës kudo në botë, ndërkohë që sot, tregjet në SHBA e rimorën veten pas tronditjes së djeshme.

Treguesi kryesor i bursës së Shangait ra mjaft në hapje të tregjeve të aksioneve, por më vonë u rrit dhe në mbyllje rënia ishte rreth 4 përqind. Tregjet në Japoni dhe në Hong Kong që fillimisht kishin shënuar rritje, pasdite u mbyllën përgjithësisht me rënie.

Treguesi Nikkei i bursës japoneze u mbyll me një rënie prej rreth 4 përqind, ndërsa ai Hang Seng i Hong Kongut përfundoi me vështirësi në territor pozitiv.

Ndërkohë, bursat në Britani, Gjermani dhe Francë patën një rritje prej më shumë se 2 përqind në hapje të bursës.

Dje, shqetësimet rreth ekonomisë së Kinës çuan në rënien e çmimeve të aksioneve dhe të naftës kudo në botë, duke përfshirë një rënie prej 8 përqind në Kinë.

Goditje morën dje edhe tregjet e aksioneve në SHBA, me luhatje të mëdha që në fund u mbyllën me një rënie prej të paktën 3.6 përqind, ndërkohë që sot tregjet e rimorën veten dhe deri në mesditë kishin  kompensuar një pjesë të humbjes.

Ekspertët thanë se tregu i aksioneve nuk mund ta shmangte dot një korrigjim të madh, pas pothuajse një trefishimi që nga viti 2009.

Joshua Brockwell i firmës Azzad Asset Management thotë se rënie të tilla shërbejnë si një mekanizëm vetëkorrigjues, që garantojnë një vlerësim më të drejtë të aksioneve.

\”Nëse e mendon si lëkundje dhe jo si tërmet, kjo do të thotë se toka lejon pak avull të dalë jashtë. Kështu edhe me tregun dhe kjo është e shëndetshme në vështrim afatgjatë,” thotë eksperti.

Ai thotë se korrigjimet e tregut mund t’i shqetësojnë investitorët, por për ekonominë janë diçka e mirë sepse nuk i lejon çmimet e aksioneve të rriten artificialisht.

“Pas kësaj tërheqjeje këto ditët e fundit, aksionet janë kthyer në vlera më racionale, pra ky është një rast për të blerë për ata që investojnë në kuptimin afatgjatë,” thotë zoti Brockwell.

Dje, rënie pësuan edhe çmimet e shumë mallrave, mes tyre nafta bruto ra më shumë se 4 përqind, çmimi më i ulët në më tepër se 6 vjet.

Prej shumë vitesh, ekonomia në rritje e Kinës ka qenë një treg i madh për të gjitha llojet e mallrave.

Një seri tronditjesh ekonomike, si rënia e aksioneve dhe zhvlerësimi i papritur i monedhës i kanë bërë investuesit ta vënë në pikëpyetje shëndetin e ekonomisë së dytë më të madhe të botës. Një ekonomi që rritet ngadalë ka nevojë për më pak energji dhe u ofron më pak shanse investuesve në shumë fusha.

\”Ne mendonim se ekonomia kineze po rritej me ritmin 7 përqind. Ndoshta rritja është sa gjysma e kësaj shifre. Dhe kjo pasqyrohet një tregjet e aksioneve dhe të mallrave,” thotë Ben Willis, i bursës së Nju Jorkut.

Zoti Willis thotë se në tregje po pasqyrohet një mungesë transparence në të dhënat ekonomike nga ana e Kinës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/bien-aksionet-ne-kine-ulet-cmimi-i-naftes-ne-bote/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala