Bie shitja e ujit të ambalazhuar

Viti i kaluar nuk ishte ndër më të suksesshmit për tregun e ujit dhe stabilimentet e prodhimit të ujit. Efektet e krizës duket se kanë prekur edhe këtë sektor, që ka ende shumë hapësira për t’u zhvilluar, por që vitin e kaluar ngadalësoi hapin. Arsyeja, sipas sipërmarrësve kryesorë në Shqipëri, është ristrukturimi i investimeve. Disa kompani janë detyruar të investojnë për të ulur kostot e prodhimit e të paketimit, duke lënë në plan të dytë sasitë e prodhimit, ndërsa të tjera kompani vlerësohet të kenë pasur probleme financiare.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë së Shqipërisë, tregu i ujit gjatë vitit të kaluar shënoi tkurrje prej rreth 10% krahasuar me një vit më parë, duke shënuar kthesën pas tre vitesh rritje të njëpasnjëshme, transmeton Gazeta Fjala. Sipas këtyre të dhënave, vitin e kaluar, sasia totale e ujit të prodhuar në vend e të importuar, ishte 1.1 milionë hektolitra, nga 1.15 që ishte një vit më parë. Sipërmarrësit duket se kanë përshtatur uljen e aktivitetit me një periudhë kur kërkesa për produktet e konsumit nuk po lulëzon. Sipas të dhënave, prodhimi ra rreth 10%, ndërsa sasia e importuar u tkurr me 18%. Sasia e importit, e pesha e tij në treg ka ardhur në ulje të vazhdueshme. Sipas të dhënave të fundit, vitin e kaluar, importuan më pak se 100 mijë hektolitra ujë nga jashtë, ose 20 mijë hektolitra më pak se një vit më parë. Ulja e importit erdhi pavarësisht uljes së prodhimit në vend, duke pasqyruar shitje më të pakta në treg./Monitor/