Bie çmimi i naftës, Rusia dhe Arabia nuk reduktojnë sasinë

Autori:Gazeta Fjala

Rusia dhe Arabia Saudite, dy nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë, kanë refuzuar të reduktojnë sasinë e nxjerrjes së ‘arit të zi’, pavarësisht luhatjeve të forta që po pëson çmimi i tij kohët e fundit.

Të dhënat nga Kremlini tregojnë se vendi prodhon 10.7 milionë fuçi në ditë dhe prej muajit gusht produktiviteti është rritur me 0.4%. Në të njëjtën ditë me publikimin e këtyre shifrave, ministri saudit i Ekonomisë tha se, vendi i tij do të vazhdojë të investojë për naftë dhe për gaz natyror, duke shtuar se qeveria mbetet e përkushtuar në zhvillimin e burimeve të energjisë. Edhe Arabia Saudite e ka rritur prodhimin me mbi 10 milionë fuçi në ditë gjatë muajve të fundit.

Por këto shifra kanë sjellë fenomenin e super-prodhimit në nivel global, duke bërë që edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të tregojnë shenja dobësie në treg. Por paralelisht me këtë situatë, çmimet e naftës po pësojnë tatëpjetën, ku në krahasim me vitin e shkuar çmimi i saj gati është përgjysmuar.

Kjo ka ndikuar drejtpërsëdrejti edhe në ekonominë e vendeve prodhuese, ku buxheti i Arabisë Saudite, e cila 90% të të ardhurave të saj i mbështetet në eksportet e naftës, është goditur.

Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon se qeveria saudite do të përballet këtë vit me një deficit buxhetor rreth 19.5% të prodhimit të brendshëm bruto, krahasuar me një deficit prej 3.4% gjatë vitit të shkuar. Po ashtu rënia e çmimit të naftës, e shoqëruar me sanksione perëndimore si edhe me zhvlerësimin e monedhës, e ka zhytur ekonominë ruse në një recesion të thellë.

Ndërkohë nga ana tjetër Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës është duke u përpjekur që të stabilizojë tregun. Por kjo organizatë ditët e fundit është përballur me një skandal të madh, ku presidentja e OPEC, Diezani Alison Madeuke, u arrestua nga autoritetet britanike me akuzën e ryshfetit dhe korrupsionit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/bie-cmimi-i-naftes-rusia-dhe-arabia-nuk-reduktojne-sasine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala