Biden: Liria fetare – rol madhor në luftimin e ekstremizmit

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se mbrojtja e lirive fetare është domosdoshmëri morale që e mbron shoqërinë nga ekstremizmi i dhunshëm.
Ai këto komente i ka bërë në një ceremoni të mbrëmshme në Nju Jork, me ç’rast ai u nderua me Çmimin për të Drejtat e Njeriut Athenagoras.
Ky është çmimi më i lartë që jepet nga Kisha Ortodokse Greke.
Biden ka theksuar se grupet terroriste, si al-Kaida dhe Shteti Islamik, e kanë shtrembëruar islamin për t’i arsyetuar aktetet tmerruese, transmeton REL.
Ai është shprehur se Shtetet e Bashkuara do të jenë të fuqishme derisa të jenë pishtare për të drejta të njeriut.
Zëvendëspresidenti Biden tha se vlerat religjioze në tërësi përputhen me vlerat civile në Shtetet e Bashkuara dhe e ka falënderuar religjionin e tij katolik, se i ka dhënë atij “strehim dhe siguri”.
Biden nuk ka bërë komente lidhur me kandidimin e mundshëm në garën për president të Shteteve të Bashkuara.
Njëri prej këshilltarëve të tij të lartë tha se këtë vendim ai do ta bëjë në të ardhmen e afërt.