Beteja për ujin

Autori:Avdyl Pajaziti

Dy rreziqe të mëdha ishin paraparë nga grupi përgatitor për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Ndalja e furnizimit me ujë për termocentralet dhe ndërhyrja në nënstacionin e Vallaçit, veprime që do të mund t’i ndërmerrte Serbia si kundërreagim për shpalljen e Pavarësisë.

Veprimet eventuale të Serbisë do të paralizonin jetën në Kosovë, pasi KEK-u nuk do të mund më të prodhonte energji elektrike në mungesë të ujit. E edhe nëse do të arrinte të prodhonte energji elektrike falë furnizimit alternativ me ujë, ndërhyrjen eventuale në nënstacionin e Vallaçit, do të pamundësonin që ajo energji të shpërndahet tek konsumatorët, shkruan sot “Koha Ditore”.

Këta hapa ishin menduar nga grupi përgatitor për shpalljen e Pavarësisë në vitin 2008, që njëkohësisht tregojnë rëndësinë strategjike që kanë këto dy asete shtetërore për Kosovën. Këto rreziqe vazhdojnë të mbesin reale për shkak të rëndësisë strategjike që ka liqeni më i madh artificial në Kosovë, Ujmani.

Arben Gjukaj, drejtor menaxhues në Korporatën Energjetike të Kosovës, thotë se furnizimi me ujë nga Liqeni i Ujmanit është jetik për prodhimin e energjisë elektrike. Aktualisht KEK-u punon me tri njësi të termocentralit “Kosova A” dhe dy njësi të “Kosovës B”, që së bashku prodhojnë mbi 90 për qind të energjisë së konsumuar në Kosovë.

“Uji është jetik për funksionimin e një termocentrali. Nuk mund të paramendohet që një termocentral të operojë pa ujë, njëjtë sikur nuk mund të operojë pa linjit. Uji është një prej elementeve bazike të prodhimit të energjisë”, ka thënë Gjukaj.

Termocentrali “Kosova B” furnizohet me ujë vetëm nga Ujmani dhe nuk ka tjetër alternativë. Kurse “Kosova A” mund të furnizohet edhe nga Batllava, por vetëm gjatë sezonit kur ka të reshura.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/beteja-per-ujin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala