Beteja e vështirë për UNESCO

Autori:Avdyl Pajaziti

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, ka dhënë një intervistë për të përditshme beogradase “Danas” lidhur me votimin në Bordin Ekzekutiv të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) në kuadër të procesit të anëtarësimit të Kosovës në këtë agjenci të specializuar të Kombeve të Bashkuara.

I pyetur se çfarë kishte pritur pret nga mbledhja e djeshme e Bordit Ekzekutiv, ku Kosova korri sukses, Selimi tha se pret që bordi të vendosë për përfshirjen e kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO në agjendën e tij. Selimi theksoi se Bordi i ka 58 anëtarë dhe se Serbia ka përdorur gjithë makinerinë e saj të propagandës për të mos e lënë Bordi të shqyrtojë aplikacionin e shtetit kosovar.

Zëvendësshefi i diplomacisë kosovare tha për mediumin beogradas së në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s po zhvillohen një sërë betejash të ashpra.

“Ne po veprojmë me një qasje tejet pozitive, po flasim për shkencë, kulturë, arsim dhe domosdoshmërinë që Kosova të mos mbetet e izoluar. Jemi mirënjohës që një numër rekord i shteteve e kanë përkrahur futjen e kërkesës sonë si pikë të agjendë,” deklaroi Selimi duke shtuar se “s’mund të fsheh faktin që jam i shokuar me strategjinë e Serbisë. Ajo bazohet në një qasje tejet negative dhe gënjeshtra të kulluara. Qeveria e Serbisë po shpreson se nëse i përsërit shumë herë deklaratat e paqena, ndoshta një numër i mjaftueshëm shtetesh do t’u besojnë atyre”.

Ai tha se Qeveria e Serbisë po i kapërcen të gjithë kufijtë e protokollit diplomatik, duke rikujtuar deklaratat famëkëqija të ambasadorit serb në UNESCO, Darko Tanaskoviq, Ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, dhe së fundi vet kryeministrit Vuçiq, të cilët i vënë Kosovës epitete prej më të ndyrave, madje duke e quajtur si “terroriste”, ndërsa ambasadorëve u është urdhëruar që të mos ndalojnë së quajturi Kosovën “ISIS”.

Selimi theksoi se, në javët në vazhdim, Kosova do të nënshkruajë traktatin e parë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai tha se qasja e Kosovës nuk është që të godasë fqinjët e saj, por se synon që të konsolidojë pozitën e saj në arenën ndërkombëtare.

Sa i përket trashëgimisë fetare dhe objekteve fetare në Kosovë në përgjithësi, zëvendësministri Selimi tha se asnjë objekt fetar, përfshirë kishat, nuk do kërcënohet nga vandalët. “Ato janë plot me turistë dhe janë pjesë e sistemit tonë kushtetues. Është gënjeshtër e radhës që anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të dëmtojë kishën. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon ka përpiluar tre raporte ku përgëzon Kosovën për dialogun ndërfetar. Ne jemi pjesëtarë aktivë të koalicionit global për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm,” tha Selimi dhe shtoi se Kisha Ortodokse Serbe është e sigurt në Kosovë dhe do të jetë edhe më e sigurt kur Kosova bëhet anëtare e UNESCO-s.

Selimi tha se Kosova ka çështje të ndryshme për t’i spastruar me Serbinë, në mesin e tyre edhe 1 miliard euro që qeveria serbe i ka vjedhur nga pensionet e Kosovës, si dhe borxhi prej 5 miliardë eurosh për kompensimin e dëmeve të luftës. “Këto janë temat që mund t’i diskutojmë. Selimi tha se Kosova vazhdon rrugën e saj drejt BE-së, ndërsa dialogu ka të bëjë me dy shtete që po e njohin njëri-tjetrin pak nga pak.

Në fund, zëvendësministri Selimi tha se Qeveria e Kosovës nuk do të lejojë që fëmijët tanë të jenë të izoluar dhe të mos kenë qasje në UNESCO, vetëm për shkak se fqinjët tanë janë në vorbullën e një furie nacionaliste. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/beteja-e-veshtire-per-unesco/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala