Beteja e informalitetit

Autori:Zekirja Shabani

Pasi ka humbur betejën e mbushjes së buxhetit nga tatimet e rritura, qeveria po bën gati një aksion të përqendruar në dy muaj për mbledhjen me forcë të detyrimeve. Banka Botërore lajmëron se evazioni është 50-100% për tatime të veçanta. Ekspertët lajmërojnë dështim si në rastin e Greqisë në vitin 2011

Ata që kanë ndjekur zhvillimet e krizës greke e kujtojnë të ashtuquajturën “Lagard List” të vitit 2012, ku mbi 2000 individë kryesisht të lidhur me biznesin dhe politikën, u evidentuan si evazorë në kuadër të një aksioni që qeveria e George Papandreou zhvilloi në plotësim të masave në këmbim të paketës së ndihmës nga Trojka. Aksioni antievazion nëpërmjet fotografive satelitore evidentoi pasuritë e paluajtshme, të individëve, të cilat u përdorën më vonë nga organet fiskale si hetime për paratë e fshehura në bankat offshore jashtë Greqisë. Por aksioni që zgjati gati dy vjet në fund fare nuk solli asnjë rezultat në të ardhurat e buxhetit grek, të cilat ngelen në nivelin e 56 miliardë eurove për tre vitet në vijim 2011, 2012 dhe 2013. Hetimet e thelluara gjetën të afërm të ish-kryeministrit Papandreou dhe ministrave të tjerë me shuma të mëdha të depozituara jashtë dhe të pajustifikuara, teksa aksioni degjeneroi pa sjellë rezultat, por përkundrazi i thelloi edhe më shumë mjetet e evazionit në periudhën e mëvonshme.

Na u desh të bëjmë këtë parashtresë, si një precedent që qeverisë shqiptare duhet t’i shërbejë për aksionin e lajmëruar antievazion që synon që vetëm për muajt shtator dhe tetor të sjellë në binarë të ardhurat buxhetore që kanë marrë pikiatën, duke rënë realisht me 4.6% përgjatë këtij viti, kur rritja ekonomike është më e larta e tre viteve të fundit (2.8%) dhe konsumi (4.7%) gjithashtu.

Siç mësohet, aksioni po ndërmerret edhe nën presionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili nuk e nënshkroi rishikimin e pestë të marrëveshjes me Shqipërinë për arsyen se, qeveria nuk ka mundur të justifikojë me argumente deficitin mbi 13 miliardë lekë në të ardhurat e programuara për 6-mujorin nga tatimet e doganat, në kushtet kur barra fiskale është rritur dhe ekonomia gjithashtu. Për të mos rrezikuar reputacionin e prishjes së marrëveshjes me FMN, por edhe fondet që disbursohen nga nënshkrimi i saj, qeveria shqiptare ka kërkuar dy muaj afat për të vënë situatën në vend.

Por a ka gjasa që kjo të ndodhë?! Ekspertët e ekonomisë njëzëri pohojnë se miradministrimi paqësor në vetëm dy muaj nuk mund të ndodhë, ndaj mbetet vetëm një rrugë, ushtrimi i forcës, që në periudhën afatmesme rrezikon të shembë marrëdhëniet tatime-biznes të ndërtuara me aq mund për vite me radhë e për pasojë të mos realizojë qëllimin për rritjen e të ardhurave në buxhet të aksionit.

Kasem Seferi, një ekspert i njohur i fiskut shpjegon se qeveria nuk i ka bërë llogaritë mirë, pasi kostot që kërkon aksioni nuk do të shpërblehen me përfitimet që priten. Ata pak inspektorë tatimorë që ka administrata e kanë të pamundur të kontrollojnë fizikisht mbi 120 mijë bizneset e vogla, pesha e të cilave në të ardhurat e buxhetit është shumë modeste në krahasim me bizneset VIP. Pikërisht pse qeveria synon të nisë aksionet me evidentimin e informalitetit në bizneset e vogla për përdorimin e kasave, Seferi thotë se aksioni nuk është serioz. Madje këtu mundësitë për korruptimin e administratës tatimore janë edhe më të mëdha pasi biznesi i vogël punon me cash, ndryshe nga VIP-at që zbrazin vetëm faturat në duart e tatimorëve.

Seferi, duke iu referuar edhe praktikave greke të kësaj natyre, thotë se aksioni i mbledhjes së detyrimeve me forcë rrezikon të thellojë më tej metodat e informalitetit ndër biznese dhe korrupsionin në tatime.

Arsye tjetër pse aksioni rrezikon t’ia arrijë qëllimit është fakti se kontrollet mund të gjenden përballë mungesës së likuiditetit të biznesit.

Në këmbim të shkeljeve që do të gjenden, do të vërshojnë gjobat nga inspektorët tatimorë, dhe administrata tatimore do ta ketë shumë të vështirë të përkthejë rezultatet e aksionit në të ardhura për buxhetin.

Aksioni “qorr” antievazion

Pikë së pari, një aksion si ky që pritet i luftës ndaj ekonomisë informale, të paktën në nisje duhet të bazohet në të dhëna për madhësinë e evazionit, kush e kryen dhe ku e kryen atë. Por administratat fiskale, të keqpërdorura politikisht ndër vite dhe pa kapacitetet përkatëse, nuk e kanë bërë deri më sot një studim të saktë për madhësinë e informalitetit sipas sektorëve, natyrës së biznesit dhe gjeografisë së aktivitetit të tyre.

Në materialin që siguroi “Monitor”, në të cilin Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve referonte madhësinë e informalitetit në Ministrinë e Financave, evazioni është trajtuar vetëm teorikisht. Aludimi se informaliteti është mbi 35% bazohej në matjet të jashtme. Ndërsa për tatimet dhe taksat, ku më së shumti bëhet evazioni, janë marrë referenca rajonale, ku është parë se vendet e Ballkanit mbledhin më shumë të ardhura nga sigurimet shoqërore, nga tatimi mbi të ardhurat personale nga TVSH, Tatimi mbi Fitimin etj.

Por a mjafton kjo për të nisur aksionin derë më derë në 160 mijë biznese kur dihet se, 100 tatimpaguesit e mëdhenj edhe sipas bilanceve që kanë dorëzuar në tatime, shihet krejt lehtë që bëjnë evazion nëpërmjet borxheve fiktive, duke lënë pa paguar milionat në tatime.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në raportin për Ministrinë e Financave, shpjegon se evazioni fiskal është i vështirë për t’u matur. Pavarësisht shifrave, i sigurt dhe i pamohueshëm është fakti që në vendin tonë ai mbetet i lartë dhe sipas disa vlerësimeve në Shqipëri, ai e kalon nivelin 30-35%, referojnë tatimet.

Më tej, institucioni taksambledhës raporton në financa se, shprehje e qartë e evazionit është ngarkesa fiskale (raporti i të ardhurave tatimore ndaj GDP-së) tepër e ulët në Shqipëri krahasuar me vendet e tjera. Ky tregues, për vendet e OECD-së është rreth 35-38%, ndërsa në Shqipëri, 24%.

“Boshllëku ynë, prej disa pikë përqindje, lidhet ndër të tjera edhe me sektorin relativisht të madh bujqësor, sektor i cili zakonisht sjell vështirësi serioze për sistemet tatimore në vendet në zhvillim. Megjithatë, edhe pas korrigjimit të madhësisë së sektorit bujqësor, boshllëku i të ardhurave tatimore në vendin tonë krahasuar me vendet e tjera mbetet i rëndësishëm”, – raportojnë më tej tatimet.

Faza e parë ka përfunduar

Në kulmin e fushatës së zgjedhjeve vendore, me vendim të posaçëm qeverie, u punësuam 500 tatimorë të rinj. Siç mësohet nga Ministria e Financave, ky kontingjent po përdoret nga tatimet për të skanuar gjendjen fizike të bizneseve në terren. Me një formular në dorë ata, tatimorët e rinj, janë shpërndarë në të gjithë vendin dhe kanë verifikuar me imtësi gjendjen e bizneseve të vogla, kryesisht nëse e përdorin apo jo kasën fiskale dhe a ka punonjës të padeklaruar. Kjo fushatë, tashmë në përfundim, do të hapë siparin e fazës së dytë, ku tatimet në bazë të këtij informacioni do të ushtrojnë kontrollet antievazion. Eksperti i çështjeve fiskale, Kasem Seferi, thotë se tatimet duhet të trajtojnë biznesin si një klient me durim dhe maturi, në mënyrë që të marrin rezultatet e duhura, në të kundërt çdo trajtim tjetër rezulton të kthehet në kosto të pariparueshme.

Tre tatimet me rezultatet me të dobëta

Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore, tatimi mbi të ardhurat personale dhe të ardhurat nga tatimi mbi pasurinë janë tre faktorët më të spikatur që çojnë në boshllëkun tatimor të vendit tonë në krahasim me vendet e tjera, raportojnë tatimet.

Domethënës është sidomos fakti lidhur me mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ku vendi ynë arrin të sigurojë çdo vit vetëm mesatarisht 4% të ardhura ndaj GDP-së, ndërkohë që në vendet e tjera sigurohen shumë më tepër në mbi 8%. Pra vetëm në këtë zë të ardhurash, vendi ynë është disa pikë përqindje më poshtë dhe diferenca tjetër është në tatimin mbi pasurinë dhe në tatimin mbi të ardhurat personale. Kjo do të thotë në mënyrë shumë evidente se, evazioni më i rëndësishëm tatimor është pikërisht në këto lloj të ardhurash, pa anashkaluar llojet e tjera të të ardhurave tatimore ku gjithashtu ka evazion domethënës.

monitor 692.indd

Evazioni nga 50 në 100% sipas taksave

Ka shumë vlerësime për evazionin. Matjet më të hershme të INSTAT e llogarisnin ekonominë informale në kufijtë e 30-35%. Factbook CIA e Shërbimeve Inteligjente Amerikane vlerësojnë 50% ekonominë informale në vendin tonë. OJF të ndryshme kanë dhënë vlerësime në nivelin e 40%, por Banka Botërore, në një analizë të fundit për këtë çështje sugjeron se, evazioni fiskal në Shqipëri luhatet në kufijtë e 50-100% për tatime dhe taksa të veçanta.

Në ekspertizën e posaçme për informalitetin në Shqipëri, Banka ka vlerësuar se dy metodat më reale që masin evazionin fiskal, janë produktiviteti i taksave dhe e dyta hendeku tatimor. E para tregon tatimin e mbledhur në përqindje të bazës tatimore (PBB dhe konsumit) ndërsa e dyta, hendeku tatimor është përcaktuar si diferencë ndërmjet shumës së taksave që qeveria duhet të mbledhë dhe shumës faktike që mbledh.

Duke marrë në konsideratë këto dy metoda, Banka Botërore në analizën që u ka bërë financave publike shqiptare, arrin në përfundimin se produktiviteti i TVSH-së në Shqipëri është 53%, në një kohë kur mesatarja për Europën Lindore është 66%. Kjo do të thotë se, në Shqipëri, për çdo 1% të normës së tatimit të TVSH, administrata tatimore mbledh TVSH në vetëm 53% të konsumit të përgjithshëm, duke lënë 47% të pataksuar. Në këtë 43% të konsumit të pataksuar, janë të përfshira përjashtimet ose korrupsioni dhe evazioni fiskal, që e bëjnë të pamundur tatimin e bazës së plotë.

Akoma më rëndë paraqitet produktiviteti në Tatimin mbi të Ardhurat Personale në vetëm 6% produktivitet dhe tatimi mbi fitimin me vetëm 17%. Për të ardhurat personale do të thotë se vetëm 6% e bazës (PBB) tatohen në të vërtetë dhe 94% është e pataksuar. Produktiviteti i tatimfitimit është pak më i mirë. Analiza tregon se, pothuajse në të gjitha llojet e tatimeve ka shumë vend për përmirësim të administrimit.

Analistët e Bankës Botërore thonë se ende gjenden hapësira të mëdha në luftën ndaj informalitetit në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe në Tatimin mbi të Ardhurat Personale.

Ndërsa analiza e produktivitet të taksave tregon se, tashmë ka një evazion evident shumë të lartë, metoda e hendekut tatimor sugjeron se, administrata tatimore mund të përmirësojë mbledhjen e TVSH-së në Shqipëri nga 10 deri në 20%. Në nivele edhe më të larta vlerësohet përmirësimi që mund të vijë për Tatimin mbi të Ardhurat Personale dhe tatim-fitimi. Sidomos të ardhurat nga TAP të paktën do të dyfishoheshin nëse do të zbatoheshin politikat më të efektshme. Ekspertiza e Bankës Botërore këshillon se, hendeku tatimor në tatimin mbi fitimin është rreth 38%, por në raste të veçanta evazioni në këtë tatim shkon edhe 66%. Kjo situatë vjen nga nënraportimet që bëjnë kompanitë për fitimet dhe shpenzimet e fryra. Ekspertiza e Bankës sugjeron se, ka ende një hapësirë për rritjen e mbledhjes së të hyrave të duhanit, alkoolit dhe të karburantit.

monitor 692.indd

 Rritja e të ardhurave mes antievazionit dhe taksave më të larta

Qeveria shqiptare e ka një pakt me FMN në marrëveshjen aktuale, në të cilin, nëse nuk përmbushen angazhimet vjetore në grumbullimin e të ardhurave, atëherë taksat duhet të rriten, edhe pse ekonomia e vendit tonë trashëgon ende një hapësirë shumë të madhe ende të pataksuar. Siç mësohet nga burimet brenda financave, FMN vuri kusht rritjen e taksave në këmbim të më shumë të ardhurave në buxhet pasi historia 25-vjeçare e bashkëpunimit me Shqipërinë ka treguar se, lufta ndaj evazionit fiskal nuk ka pasur sukses. Por tani kur kanë kaluar gati dy vite që qeveria e re ka ardhur në pushtet dhe po aplikon këtë sugjerim të FMN-së, të ardhurat buxhetore krahasuar me PBB janë në nivelet e dy viteve më parë. Praktika tregoi se, rritja e taksave duket se është kthyer në bumerang duke e nxitur biznesin për më shumë evazion dhe administratën tatimore për më shumë korrupsion.

Gjatë dy viteve të fundit qeveria e re ndryshoi politikën fiskale, duke kthyer taksën e sheshtë në progresive, duke e rritur tatimin mbi pagat deri në 23% nga 10% që ishte më 2013 dhe rritjen e tatimfitimit te bizneset nga 10% në 15%. Gjithashtu u aplikua një rritje e akcizës te cigaret me 40 lekë për paketë dhe një rritje e taksës së qarkullimit që vilet te nafta më shumë se 20 lekë. Rritjet në këto taksa pritej të sillnin në buxhet një shumë të shtuar prej 40 miliardë lekësh, gjatë dy viteve. Por të dhënat e fundit sjellin një situatë krejt të ndryshme. Nga tatimet dhe doganat në fund të gjashtëmujorit kanë munguar 13.4 miliardë lekë. Historia ka treguar se, ndryshimet në vlera të taksave, edhe kur kanë pësuar ulje apo rritje, nuk kanë sjellë ndryshime të dukshme në rritjen e të ardhurave. Ky fakt vjen si një leksion i qartë se, administrimi dhe lufta ndaj informalitetit duhet të jenë në fokus më shumë se rritja apo ulja e disa tatimeve apo taksave.

monitor 692.indd

monitor 692.indd

Autor: Blerina Hoxha/Monitor

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/beteja-e-informalitetit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala