Besnik Hasani: Sekiraça e thërriste drejtorin e Policisë për ndihmë

Vetëm një metër e gjysmë i ndau Enver Sekiraçën me ish-policin Besnik Hasani, të hënën, gjatë seancës gjyqësore kundër Sekiraçës, i cili po akuzohet për nxitje të vrasjes së ish-policit Triumf Riza, shkruan sot Koha Ditore.
Provokimet në heshtje e detyruan trupin gjykues që të sigurohej se kjo afërsi nuk do të paraqiste ndonjë rrezik.
“A jeni të sigurt se kjo hapësirë është normale dhe e sigurt?”, iu drejtua policëve gjyqtari i EULEX-it, Arcadius Sedek.
Duke qenë se ishin avokatët e Sekiraçës në mes dhe ai po qëndronte krejt në qoshe i bllokuar, policët thanë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.
Në këtë situatë pak a shumë të tensionuar, dëshmitari Hasani, i cili është i dënuar për shpërthimin në lokalin “Sekiraça”, ka përmendur një varg situatash, që kishin lidhje me Sekiraçën, në të cilat edhe vetë ka thënë se ishte i pranishëm.
Ai përveç koleg pune, ishte edhe mik i Rizës. Për konfliktin që Riza kishte pasur me Sekiraçën, Hasani ka thënë se ka qenë në dijeni tërë kohën. /koha/