Berisha: Policët kryen detyrën e tyre

Autori:Avdyl Pajaziti

Besnik Berisha, këshilltar i kryeministrit, ka thënë se Policët e Kosovës sot nuk bënë asgjë më shumë, përveç se kryen detyrën e tyre dhe zbatuan ligjin.

Në një postim në rrjetet sociale, Berisha thotë se pas arrestimit të z. Kurti, do lexoni e dëgjoni shumë komente, pro dhe kundër këtij arrestimi dhe shumë sharje e fyerje të drejtuara kundër Policëve,

“Do dëgjoni e lexoni po ashtu, sharje, fyerje e kërcënime të shumta për udhëheqësit tanë, së bashku me thirrje të shumta e ftesa të ndryshme, për t’u ngritur në këmbë, në emër të “mbrojtjes” së Republikës dhe mbrojtjes së disa individëve, për të thyer, djegur e shkatërruar çdo gjë, të cilën në vite e paguam dhe ndërtuam me djersën dhe taksat tona. Por, pavarësisht sharjeve, fyerjeve, kërcënimeve e sulmeve të drejtuara kundër atyre që po ruajnë rendin dhe atyre që udhëheqin me Republikën e Kosovës, si dhe thirrjeve e ftesave të shumta e të ndryshme që do mund të dëgjojmë e lexojmë sot dhe në ditët në vijim, ata që janë zgjedhur me votën dhe paguhen nga taksat e qytetarit, duhet t’u sigurojnë qytetarëve të Republikës së Kosovës, një shtet ligjor, ku secili është i barabartë para ligjit, pavarësisht privilegjeve që gëzon në shoqëri.

Ndihem keq për arrestimin e z. Kurti dhe kujtdo tjetër, po aq sa jam ndier dhe ndihem keq për veprimet e tyre, që në emër të, siç pretendonin ata, dashurisë dhe mbrojtjes për Republikën, u manifestuan së paku në shkelje të ligjit. Ta duash Republikën, në radhë të parë do të thotë ta duash dhe respektosh Kushtetutën dhe ligjet e saj dhe këtë të fundit e kemi detyrim të gjithë, pavarësisht bindjeve tona politike apo qëndrimeve tona publike, rreth çështjeve të caktuara që lidhen me fatin e qytetarit apo shtetit tonë. REPUBLIKA mund të ruhet dhe mbrohet vetëm me kushtetutë e ligj, të barabartë për të gjithë…”, shkruan Besnik Berisha.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/berisha-policet-kryen-detyren-e-tyre/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala