Bëri copë e grimë 1 milion euro për inati të trashëgimtarëve

Një 85 vjeçe nga Austria i ka bërë copë e grimë kartëmonedhat me vlerë gati një milion euro për inati të trashëgimtarëve të saj. Këtë ngjarje e bënë dje publike vetë autoritetet austriake.
Siç bën të ditur AFP, pas vdekjes së plakës, emri i të cilës nuk u bë publik, në krevatin e saj në dhomën e shtëpisë së pleqve ku kishte jetuar, janë gjetur kartëmonedha të copëtuara me vlerë të përgjithshme 950 mijë euro, si dhe disa libreza kursimi, të cilat i kishte gjetur i njëjti fat.
Prokurori i Shtetit, Erih Habicl ka konfirmuar lajmin, të cilin e publikoi së pari gazeta “Kurir”, duke shtuar se nuk mund të bënte asgjë për trashëgimtarët.
“Dëmi i bërë në kartëmonedha që ishin pronë e zonjës së vdekur nuk përbën vepër penale, prandaj nuk kemi hapur kurrfarë hetimesh”, i tha ai AFP-së, transmeton Koha.net.
Gazeta “Kurir” shkruan se kushërinjtë e gjyshes hakmarrëse do të jenë “ata që do të qeshen më së ëmbli”, meqë Banka Qendrore Austriake (OeNB) ka paralajmëruar se do të bëjë ndërrimin e kartëmonedhave.
“Nëse trashëgimtarët gjejnë copat e kartëmonedhave dhe me kusht që origjina e të hollave të konfirmohet, atëherë ajo do t’i kompensojë të gjitha”, ka deklaruar përfaqësuesja e OeNB-së.
“Po të mos i ndërronim të hollat, atëherë do të dënonim personat e gabuar”, ka përfunduar ajo.