Beogradi sot pret parafimin me Prishtinën të tri marrëveshjeve

Autori:Avdyl Pajaziti

Mediet e Beogradit duke paralajmëruar vazhdimin e dialogut midis Kosovës e Serbisë, sot në Bruksel, parashikojnë mundësinë e parafimit të tri marrëveshjeve: për telekomunikacionin, sigurimin e automjeteve dhe për, siç e quajnë ata barrikadën mbi urën e Ibrit në Mitrovicë, “Parkun e Paqes”.

Ndërsa për Asociacionin e Komunave Serbe theksojnë “thyerje shpatash”, sipas tyre, për shkak të “kokëfortësisë” së shqiptarëve, që kundërshtojnë dhënien e ingerencave ekzekutive për të, e që pala serbe këtë e kërkon si të domosdoshme.

Po sipas medieve serbe, nëse kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq vënë parafet në të katër marrëveshjet që do t’i kenë në tryezën e negociatave, atëherë është e sigurt se BE do të hapë kapitujt e parë për anëtarësim të Serbisë.

Gazeta “Novosti” nuk e përjashton mundësinë e marrëveshjes së pjesshme për energjetikën, duke e lënë për faza të mëvonshme çështjen e pronësisë së objekteve, citon Koha.net shkrimin. Po ashtu palët do të mund të nënshkruajnë një lloj plani aksionar për formimin e Asociaxcionit të Komunave Serbe, që do të parashihte hapa të saktësuar dhe dinamikën e implementimit të kësaj pike të Marrëveshjes së Brukselit, rreth të cilës pikëpamjet e palëve janë më së largu nga njëra tjetra.

Ekipet teknike të Prishtinës e të Beogradit edhe dje në Bruksel janë përpjekur t’i afrojnë pikëpamjet rreth katër temave vendimtare në prag të vazhdimit të dialogut politik të nivelit më të lartë – dy kryeministrave, nën përkujdesjen e shefes së diplomacisë së BE, Federica Mogherini.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, citohet nga “Kurir” i Beogradit, të ketë thënë se ndërsa shqiptarët kërkojnë që Asociacioni i Komunave Serbe të trajtohet përmes ligjeve të Kosovës si OJQ, ne (e ka fjalën për serbët) duam të ketë ingerenca ekzekutive.

Pika për telekomunikacionin:

Prefiksi

*Prishtina kërkon që prefiksi të sigurohet përmes Austrisë;

*Beogradi ofron që prefiksi të shënohet si kod gjeografik i Telekomit të Serbisë;

*Prishtina refuzon që Telekomi të veprojë në territorin e saj;

*Beogradi kërkon që Telekomi të veprojë në territorin e Kosovës.

Energjetika: Liqeni i Gazivodës, penda dhe hidrocentrali

*Prishtina kërkon 100 për qind të pronësisë;

*Beogradi ofron që pronësia të ndahet gjysmë për gjysmë

Barrikada “Parku i Paqes” mbi Ibër

*Prishtina kërkon heqjen e parkut;

*Beogradi kërkon garanci sigurie për serbët;

Asociacioni i Komunave Serbe

*Prishtina ofron që AKS-ja të jetë në nivel të OJQ-së;

*Beogradi kërkon autorizime ekzekutive në katër fusha: arsim, shëndetësi, ekonomi dhe zhvillim rural;

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/beogradi-sot-pret-parafimin-me-prishtinen-te-tri-marreveshjeve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala