Beogradi kërcënon BE-në: Presion Prishtinës, ose ndërpresim dialogun

Autori:Avdyl Pajaziti

Ende nuk është parë ndonjë presion i organizatave ndërkombëtare për formimin e Asociacionit të Komunave serbe, shkruajnë mediat serbe. Ndërsa, lidhur me këto Vuçiqi thotë se është i lodhur me heshtjen e dikujt ndërsa Daçiqi thotë se bisedimet e mëtutjeshme po e humbin kuptimin e tyre.

Beogradi kërkon nga Bashkimi Evropian t’i bëjë presion Prishtinës në mënyrë që menjëherë të formohet Asociacioni i Komunave serbe dhe realizimi i marrëveshjes së Brukselit. Në të kundërt, bisedimet e mëtutjeshme janë në pikëpyetje.

Ministri i Punëve të Jashtme serb, Ivica Daçiq ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që ta suspendojë marrëveshjen e Asociacionit paraqet goditjen e dialogut të Brukselit, raporton novosti.rs, transmeton lajmi.net

“Ky është një rast i paparë i lojës ndaj marrëveshjes së arritur në Beograd, në prani të BE-së, është edhe një kërcënim i stabilitetit rajonal. Esenca e marrëveshjes së Brukselit është formimi i Asociacionit. Dialogu i Brukselit tashmë po e humb kuptimin”, ka thënë Daçiq.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka përkujtuar se Serbia është e gatshme për dialog, por ka pranuar se është i lodhur nga ngjarjet negative në Prishtinë.

“Jam i lodhur nga heshtjet e dikujt. Shpresoj se disa njerëz do të sillen shumë më seriozisht se sa sot. Ne do të ndajmë një pjesë të të hollave nga buxheti i vitit të ardhshëm për Asociacionin, por edhe gjithmonë do të ketë rezerva për atë qëllim”, ka thënë Vuçiq.

Shefi i Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq nuk e di se si mund të vazhdohet dialogu në Bruksel.

“Presim që Organizata Ndërkombëtare t’i bëjë presion Prishtinës që të implementojnë marrëveshjen e Brukselit. Ata në të vërtetë asnjëherë nuk kishin për qëllim që ta implementojnë Asociacionin”, ka thënë Gjuriq.

“Ne vetëm kemi parë mbështetjen e faktorit ndërkombëtar ndaj Prishtinës, si dhe mbështetjen e një numri të madh të vendeve të BE-së për anëtarësimin në UNESCO”, ka vazhduar Gjuriq.

Ai ka vazhduar duke pyetur se pse pala kosovare ka nënshkruar marrëveshjen nëse nuk është në pajtim me Kushtetuesen, transmeton lajmi.net

“Nuk është në rregull që t’i jepet mbështetje e mëtutjeshme Prishtinës edhe pasi e ka hedhur marrëveshjen e Brukselit dhe publikisht e ka refuzuar atë. Nuk e di se si është e mundshme që një palë të mos implementojë asgjë nga marrëveshja, ndërsa nga tjetra të kërkohet që të qëndrojë anash e të mos flas. Sigurisht që nuk do të heshtim”, ka përfunduar Gjuriq.

Ministri Aleksandar Vulin thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për suspendimin e marrëveshjes për Asociacionin do të thotë që Kosova gjithnjë po tenton që humbjet e saja t’i kthejë në këtë mënyrë.

Qeveria e Kosovës ka thënë se mbetet e përkushtuar për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe implementimin e marrëveshjeve të arritura.

“Vendimi i përkohshëm të cilin e mori Gjykata Kushtetuese është një procedurë normale e cila bllokon implementimin e marrëveshjes mbi parimet bazë, elementet kryesore të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, deri në vendimin final të Gjykatës Kushtetuese”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/beogradi-kercenon-be-ne-presion-prishtines-ose-nderpresim-dialogun/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala