Bekim Haxhiu shkruan për qumështin e gjirit

Pas seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës që u zhvillua në bufen e këtij institucioni, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu është shprehur i kënaqur që janë votuar amandamentet e propozuar nga ai për Ligjin për Mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri.
Lexojeni të plotë postimin e tij të bërë në facebook:
PËR KTHIM NË NORMALITET…
Mbrëmë në rrethana jo të lehta u zhvillua seanca e Kuvendit të Kosovës, ku ndër të tjera u miratua Ligji për MBROJTJEN E TË USHQYERIT ME QUMËSHT GJIRI. Me këtë rast dua të falënderoj Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i cili mbështeti tri amandamentet e propozuara nga unë, ndërsa amandamenti tjetër mbetet të rregullohet me plotësim ndryshimin e Ligjit të Punës ose me Ligj të veçantë për Lehonat.
NË PROJEKTLIGJIN PËR MBROJTJEN E TË USHQYERIT ME QUMËSHT GJIRI, mbrëmë u votuan këto amandamente të propozuar nga unë:
Amandamenti 1. – u votua
Të drejtat e gruas së punësuar për gjidhënie
1. Secilës grua të punësuar që ushqen foshnjën me qumësht gjiri i takojnë të gjitha të drejtat e garantuara me legjislacionin përkatës në fuqi në Kosovë.
2. Çdo e punësuar që ushqen foshnjën me qumësht gjiri, nëse nuk e shfrytëzon pushimin e lehonisë pas muajit të gjashtë të tij dhe sipas dispozitave përkatëse ligjore në fuqi, prej muajit të gjashtë deri në një vit ka tё drejtën e pushimit me pagesë në kohëzgjatje prej dy (2) orë nё ditë brenda orarit të punës, duke mos përfshirë pushimin e rregullt gjatë orarit të punës, për ta ushqyer foshnjën me qumësht gjiri, siç është përcaktuar me këtë ligj.
Amandamenti 2 – u votua
Të drejtat e gruas së punësuar për gjidhënie
3. Çdo e punësuar që ushqen foshnjën me qumësht gjiri pas vitit të parë deri në dy vjet ka të drejtën e një (1) orë në ditë, pushim me pagesë, brenda orarit të punës, për ta ushqyer foshnjën me qumësht gjiri, duke mos përfshirë pushimin e rregullt gjatë orarit të punës.
Amandamenti 4 – u votua
Të drejtat e gruas së punësuar për gjidhënie
5. Çdo e punësuar që ushqen foshnjën me qumësht gjiri, pushimin me pagesë në kohëzgjatje prej (1) një apo dy (2) orë nё ditë brenda orarit të punës, e shfrytëzon në fillim, në mes , apo në përfundim të orarit të punës dhe për këtë e njofton me shkrim punëdhënësin bashkë me vërtetimin e mjekut se e punësuara është në gjidhënie.
Amandamenti në vijim nuk ka kaluar në komision dhe as në seancën e fundit por presë që të inkorporohet në të ardhmen në Ligjin e Punës
Amandamenti 3 – nuk votua
4. Çdo e punësuar që ushqen foshnjën me qumësht gjiri, nëse nuk dëshiron ta shfrytëzoj pushimin e lehonisë pas muajit të gjashtë deri në një vit, ka tё drejtën e punës më gjysmë orar, me gjysmë pagesë .
Çdo e punësuar që dëshiron ta shfrytëzoj pushimin e lehonisë pas muajit të gjashtë deri në një vit, me gjysmë orari, me gjysmë pagesë, duhet ta njoftoj me shkrim punëdhënësin .
Arsyetim
Puna me orar të shkurtuar parashihet edhe me Ligjin e Punës neni 22 , ku parashihet që orari i punës mund të shkurtohet deri në 20 orë në javë, për punë me rrezikshmëri të lartë e për qëllim ka mbrojtjen e shëndetit të të punësuarit, ndërsa propozimi ynë është edhe më fisnik ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit të foshnjës.
Me respekt,
Bekim Haxhiu