Behgjet Pacolli shkaktoi kaos ajror, aterroi pa leje në Aeroportin e Prishtinës

Autori:Zekirja Shabani

26 tetori i vitit të kaluar ka mund të jetë me pasoja fatale për trafikun ajror të Kosovës.

‘Sebep’ i këtij rreziku ka qenë kreu i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behxhet Pacolli, aeroplani i të cilit ka aterruar pa leje në Aeroportin e Prishtinës.

Burime të sigurta të ORAinfo, bëjnë të ditur se më 26 tetor të vitit të kaluar Pacolli me aeroplanin e tij privat ia kishte mësyer Aeroportit të Prishtinës nga Dubrovniku pa pasur fare leje të aterrimit.

“Aeroplani me të cilin ka qenë duke udhëtuar Pacolli ka ardhur nga aeroporti i Dubrovnikut dhe me të ardhur në afërsi të hapësirës së Kosovës piloti i Pacollit ka deklaruar rrejshëm zyrtarët e kontrollit ajror të Kosovës se posedon lejen e aterrimit. Ai gjithashtu ka alarmuar zyrtarët e kontrollit ajror, se nuk mund të kthehet prapa në Aeroportin nga është nisur pasi i njëjti ishte mbyllur. Piloti i Pacollit ka alarmuar gjithashtu zyrtarët e trafikut ajror të Kosovës se nuk ka korezinë të mjaftueshme për të qëndruar në ajër dhe i është dhënë mundësia të aterojë në Aeroportin e Prishtinës, ndonëse nuk kishte leje”, ka thënë burimi i ORAinfo.

Në anën tjetër në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës- Kontrolli Ajror “Adem Jashari” kanë sqaruar për ORAinfo se pse e kanë lejuar të ateroi pa leje aeroplanin në fjalë.

Lorik Abdullahu, drejtor i Departamentit Ajror, ka thënë për ORAinfo se pasi që aeroplani ka qenë i njohur për ta dhe i njëjti ka mundur të rrezikohet nëse nuk zbret në Kosovë, atëherë kanë lejuar të ateroi në Prishtinë.

Ai nuk ka dashur të tregoj se kush është pronar i aeroplanit në fjalë,por ka vlerësuar se vendimi i tyre ka qenë i drejtë për të lejuar aeroplanin të ateroi në Prishtinë, pasi që kanë evituar më të keqen që ka mundur ti ndodh këtij aeroplani.

Abdullahu ka njoftuar se për lejimin e aterrimit të këtij aeroplani kanë njoftuar menjëherë të gjitha organet e sigurisë dhe i njëjti pasi që ka ateruar i është nënshtruar të gjitha kontrolleve të rregullta.

Ndërkaq, në departamentin e Aviacionit Civil në Ministrinë në Infrastrukturës, ka vlerësuar se aterrimi i aeroplanit të Pacollit pa leje ka rrezikuar sigurinë e trafikut ajror, duke e vlerësuar këtë si një shkelje të rëndë.

Në anën tjetër, Behxhet Pacolli nuk u është përgjigjur pyetjeve të dërguara përmes postës elektronike nga ORAinfo në lidhje me këtë çështje, sikurse që ka qenë i pa qasshëm edhe nëpërmes telefonit. /ORAinfo/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/behgjet-pacolli-shkaktoi-kaos-ajror-aterroi-pa-leje-ne-aeroportin-e-prishtines/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala