BE thërret liderët e Ballkanit në takim emergjent për azil

Autori:Gazeta Fjala

Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit dhe të një grupi shtetesh të Bashkimit Europian, do të mblidhen në një takim emergjent në Bruksel ditën e diel.

Numri më i madh i azilkërkuesve të refuzuar vijnë nga Ballkani Perëndimor. Parlamenti gjerman miratoi këtë muaj një ligj ku Shqipëria, Kosova , Serbia dhe Maqedonia përfshihen në listën e “vendeve të sigurta”, shtetasit e të cilëve nuk kualifikohen për azil.

Por ky takim do të mbahet edhe në kuadër të përshkallëzimit të krizës së refugjatëve, çka ka gjeneruar edhe tension në rajon. Mbyllja e kufijve të Sllovenisë dhe Hungarisë, kanë shkaktuar grumbullimin e grupeve të mëdha me refugjatë, të cilët nuk po marrin asnjë drejtim nga autoritetet kompetente se ç’do të ndodhë me ta.

Kryeministri slloven i bëri thirrje unionit për mbështetje financiare, materiale si edhe për shtim të personelit, i cili duhet të ndihmojë patjetër, sipas tij. Miro Cerar bëri thirrje për më tepër bashkëpunim, pasi sipas tij propocioni për ndarjen e refugjatëve nuk është i drejtë, ndërsa Gjermania po vijon me politikat e saj ambicioze për këtë kauzë, duke trumpetuar për kuota të detyrueshme dhe të përhershme për ndarjen e refugjatëve që vijnë direkt nga Lindja e Mesme. Po ashtu, në rendin e ditës së Berlinit është ngritja e mundshme e një takse të veçantë në të gjithë BE-në për të financuar politikat.

Kauza e refugjatëve e drejtuar nga Angela Merkel është cilësuar si një pikë vendimtare për performancën e saj politike. Kancelarja gjermane ka shprehur indinjatë me qeveritë e Europës Lindore dhe Qendrore të cilat vijojnë të kundërshtojnë fuqishëm marrjen e refugjatëve, ndaj Merkel përpara samitit të së dielës, ka bërë thirrje për më shumë “solidaritet”. /TopChannel

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/be-therret-lideret-e-ballkanit-ne-takim-emergjent-per-azil/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala