BE rekomandon zyrtarisht hapjen e kapitullit 35 me Serbinë

Komisioni Evropian dhe Shërbimi evropian i Punëve të Jashtme (EEAS) i kanë dorëzuar Këshillit të Ministrave dhe shteteve anëtare të BE-së rekomandimin për hapjen e kapitullit 35 në negociatat me Serbinë.
Këtë e pohoi Maja Kocijançiç, zëdhënësja e Përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme e të Sigurisë, Federica Mogherini.
Kapitulli 35 ka të bëjë me çështjen e Kosovës.
E pyetur se si i komenton deklaratat e zyrtarëve serbë se me kapitullin 35 nga Serbia kërkohet të njeh pavarësinë e Kosovës, Kocijançiç është shprehur se janë shtetet anëtare të BE-së ato që vlerësojnë performancën e Serbisë dhe të vendosin për hapjen e kapitujve.
“Në përputhje me kornizën për negociatat për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, Komisioni Evropian dhe Shërbimi evropian i Punëve të Jashtme (EEAS) kanë përgatitur dhe i kanë dorëzuar Këshillit të Ministrave vlerësimin e progresit të shënuar në dialog me Kosovën dhe i kanë sugjeruar shteteve anëtare hapjen e kapitullit 35”, ka thënë Kocijançiç për të përditshmen serbe “Danas”.
Sipas fjalëve të saj, vlerësimi ka të bëjë me shqyrtimin e marrëveshjeve të arritura në dialog dhe me çështjet e hapura në kuptim të zbatimit të tyre.
“Tani i mbetet shteteve anëtare të marrin në konsideratë performancën e Serbisë dhe të vendosin për hapjen e kapitujve të rinj”, ka thënë zëdhënësja e Federica Mogherinit. /Telegrafi/