BE njofton, nesër nis zhbllokimi i urës mbi Ibër

Autori:Avdyl Pajaziti

Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë ka njoftuar se nesër pasdite do të fillojë zhbllokimi i urës mbi Ibër.

“Revitalizimi i urës së Mitrovicës dhe hapësirës përreth saj do të nisë nesër pasdite, më 17 tetor, ashtu siç është paralajmëruar.

Kontraktuesi i BE-së do të mbyllë të dy anët e urës me barriera dhe vendin e ndërtimit me gardh. Punët ndërtimore në këtë urë do të kryhen duke iu qasur vendit të punimeve përmes rrugës nga ana jugore.

Gjatë kohës së revitalizimit, njëra anë e urës do të ketë qasje për kalimtarët.

Samuel Zhbogar, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së ka lavdëruar durimin e të dyja palëve, duke veçuar kryetarët Agim Bahtiri e Goran Rakic për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre të treguar gjatë ditëve të kaluara.

Diskutimet për Memorandumin e Mirëkuptimit për Planet Zhvillimore Komunale, Hartën Komunale të Zonave dhe Planin e detajuar Rregullativ po vazhdojnë.

Zyra e BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me këto dy komuna gjatë gjithë procesit për të monitoruar dhe rishikuar zhvillimet. Ajo po ashtu do ta informojë publikun e Kosovës për çështjet përkatëse.

Revitalizimi i urës së Mitrovicës është paraparë me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes të arritur më 25 gusht 2015 në mes të Prishtinës dhe Beogradit”, thuhet në njoftimin e tyre.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/be-njofton-neser-nis-zhbllokimi-i-ures-mbi-iber/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala