BE ia ndalë hovin Serbisë

Autori:Avdyl Pajaziti

Merr fund monopoli i Serbisë mbi furnizimin me energji elektrike në Shqipëri dhe në vendet e tjera të rajonit.

Turqia, Kroacia, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Greqia, Bosnja dhe Hercegovina formojnë në Podgoricë qendrën rajonale të koordinimit të ankandeve.

Këtu do të bëhet alokimi i kapaciteteve të transmetimit mes shtatë shteteve dhe shitblerja në ankand ndërkombëtar. Në korrik 2014 u firmos marrëveshja me shteteve aksionere të qendrës së ankandeve dhe disa ditë më parë Shqipëria, përmes Entit Rregullator të Energjisë, ka miratuar  Rregulloren e Zhvillimit të Ankandeve.

Qëllimi

Sipas rregullores së miratuar nga ERE, procesi i ankandit ka qëllim të ofrojë një metodë transparente me bazë tregtare të menaxhimit të kongjestionit, për të lehtësuar tregun në rajon. Operatorët e Sistemeve të Transmetimit (OST) pjesëmarrës Zyrën e Koordinimit do t’i alokojnë kapacitetet ndërkufitare nëpërmjet procesit të ankandit në formën e të Drejtave të Transmetimit Fizik në baza vjetore, mujore dhe ditore. Zyra do të kryejë të gjitha proceset e ankandeve, por në emër dhe për llogari të OST-ve pjesëmarrëse.

Nën mbikëqyrjen e BE-së

Në përputhje me kërkesat e Rregullores së Parlamentit Europian dhe të Këshillit mbi kushtet për hyrjen në rrjet për shkëmbimet ndërkufitare të energjisë elektrike, kjo rregullore ankandi përcakton termat dhe kushtet që rregullojnë shpërndarjen e kapacitetit ndërkufitar në të dyja drejtimet në interkonjeksionet ndërmjet OST-ve pjesëmarrëse.

Për të shmangur problemet në lidhje me abuzimin e mundshëm nga pozita dominuese e ndonjë lojtari tregu, Komisioni Europian dhe autoritetet rregullatore të konkurrencës, mund të vendosin, me vendim të përbashkët, kufizime në përgjithësi ose në një kompani individuale për shkak të dominimit të tregut. (Shqip)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/be-ia-ndale-hovin-serbise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala