BE-Greqisë: Përshpejtoni regjistrimin e refugjatëve

Autori:Gazeta Fjala

Komisioneri europian për Emigracionin, DhimitrisAvramopoulos, i shoqëruar nga Jean Asselborn, ministri i Jashtëm i Luksemburgut, që ka presidencën e BE-së, në një vizitë në Athinë dhe në ishullin Lesvos, i kanë parashtruar Greqisë kërkesën e Brukselit për përshpejtimin e procedurave të hapjes dhe funksionimit të të ashtuquajturave “hotspots”, pikave të regjistrimit të të gjithë refugjatëve që hyjnë në vend dhe të shqyrtimit të kërkesave të tyre për azil.

Hotspot-i i parë do të funksionojë brenda një jave në shullin Lesvos, që pranon çdo ditë më shumë se 2000 refugjatë dhe katër të tjerat në ishujt Kos, Hios, Leros dhe Samos.

“Në këtë periudhë testohet në një shkallë të lartë edhe mundësia edhe aftësia e Greqisë për të perballuar në emër të Europës, por edhe në bazë të nevojave të saj këtë problem të madh”, tha Avramopulos.
Ndërkohë, Jean Asselborn, ministi i Jashtëm i Luksemburgut, u shpreh: “Pa një menaxhim racional dhe efektiv të kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian, marrëveshja e Shengenit do të bjerë. Çfarë do të ndodhë? Nëse kufijtë e jashtëm nuk funksionojnë siç duhet, nëqoftëse njerëzit hyjnë në BE pa u regjistruar siç duhet, pa ditur qeveritë kush dhe si ka hyrë, të gjitha shtetet e Bashkimit Europian do të rivendosin kontrollin kufitar”.

Ndërsa ministri grek i Emigracionit ka deklaruar se duhet të rritet bashkëpunimi me Turqinë, por edhe me vendet e tjera si Jordania dhe Libani, në mënyrë që refugjatët të mos rrezikojnë jetët e tyre duke u bërë pre e trafikantëve, por të fluturojnë direkt në vendet e BE-së. Kjo duhet bërë, ka thënë ai, jo duke i bërë presion Turqisë, që në fakt po e mbron Europën duke strehuar 2 milionë refugjatë, por duke e stimuluar Ankaranë.

“Kur themi se duhet ushtruar presion mbi Turqinë, nënkuptojmë stimuj dhe shkëmbime. Nuk nënkuptojmë egërsi dhe ashpërsi. Sepse ne pranojmë faktin që ajo po mbron Greqinë dhe Europën duke mbajtur të gjithë këta njerëz”, theksoi Janis Mouzalas, ministri plotësues për Emigracionin.

Numri i refugjatëve që mbërrijnë në Greqi ditët e fundit ka shkuar në 7000 në ditë, nga 4500 në fund të shtatorit, për shkak të frikës së përkeqësimit të motit. Në Lesvos ka mbërritur për vizitë edhe Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Antonio Guterres, i cili e ka cilësuar ishullin grek si shembullin e solidaritetit dhe bujarisë ndaj refugjatëve dhe emigrantëve që ikin nga zonat e nxehta të Lindjes së Mesme dhe ka theksuar se kjo ikje e madhe nuk është më një problem i Lesvosit dhe Greqisë, por një problem i madh europian që kërkon një zgjidhje europiane./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/be-greqise-pershpejtoni-regjistrimin-e-refugjateve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala