BE diskuton për Ballkanin dhe emigrantët

Autori:Avdyl Pajaziti

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, dhe Jean Asselborn, ministër i Jashtëm, Azilit dhe Emigracionit të Luksemburgut, vendi që kryeson Unionin, organizojnë të enjten në mbrëmje një Konferencë të Nivelit të Lartë për të diskutuar mbi rëndësinë e korridorit të Ballkanit Perëndimor me rritjen e fluksit të emigrantëve që vijnë nga Lindja e Mesme.

Për një qasje sa më gjithëpërfshirëse mbi këtë çështje, tryeza mbledh së bashku ministrat e jashtëm dhe të brendshëm nga të gjitha vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, homologët e tyre nga Turqia, Libani, dhe Jordania, si dhe prej vendeve (jo-anëtare të BE) pjesëmarrëse të marrëveshjes Schengen, si Zvicra, Norvegjia, Liechtenstein dhe Islanda. Për të paraqitur një tablo të situatës në terren janë ftuar përfaqësues të Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit, UNHCR, Programit Botëror Ushqimor dhe agjencitë evropiane për Azilin dhe menaxhimin e kufijve (FRONTEX), raporton Tch.

Konferenca parashikohet të nis pas orës 18 dhe për dy orë, sipas agjendës, do të diskutohet mbi shkaqet e rrugëve të marra nga refugjatët dhe mbi mundësitë e zgjerimit të ndihmës financiare të BE-së tek vendet tranzite, ku synohet të ngrihen gjithashtu pika të ngjashme për pritjen, apo zhvendosjen e refugjatëve. Pas konferencës për shtyp të mbrëmjes, ministrat parashikohet të vijojnë bisedimet në një format më informal gjatë një darkë pune.

Konferenca mbi shtegun ballkanik të refugjatëve mbahet në përfundim të Këshillit të Ministrave të Brendshëm të BE-së dhe takimit të përbashkët të tyre me vendet anëtare të Marrëveshjes Schengen. Këshilli i BE-së pritet të miratojë atë ditë Listën Evropiane të vendeve me origjinë të sigurt, ku renditen deri tani Shqipëria, Bosnja, Kosova, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Turqia, bazuar në paketën e propozuar nga Komisioni.

17% e azilkërkuesve të regjistruar në BE rezultojnë nga këto vende të Zgjerimit dhe përfshirja e tyre në një listë të përbashkët synon të përshpejtojë procedurat për aplikimet nga Ballkani e Turqia dhe të lehtësojë burimet administrative për anëtarët e Unionit.

Ministrat Evropianë diskutojnë këtë javë për rregullat e kthimit të emigrantëve, mbi mundësinë e një agjencie të vetme vepruese azili në BE për trajtimin e të gjitha kërkesave dhe njohjen e mbrojtjes ndërkombëtare, si dhe mbi menaxhimin e kufijve të jashtëm të BE-së në të ardhmen.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/be-diskuton-per-ballkani-dhe-emigrantet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala