BE diskuton masat për menaxhimin e kufijve të jashtëm

Autori:Gazeta Fjala

Ashtu siç pritej, përpara mbajtjes në Luksemburg të konferencës së posaçme mbi korridorin ballkanik, sikundër konsiderohet rruga e refugjatëve që vijnë nga Siria e vendet fqinje drejt Europës,  ministrat e Brendshëm të Unionit diskutuan për menaxhimin e kufijve të jashtëm të BE-së në të ardhmen dhe miratuan qasjen e re për politikën e kthimit të të gjithë shtetasve të vendeve të treta, të cilëve u është refuzuar qëndrimi në shtetet e BE-së. Ndërkohë, në komitetin e përbashkët me vendet e marrëveshjes Schengen u debatua, midis të tjerash, mbi veprimet për ndryshimin me një rregullore të kodit të vizave të Unionit.

“Shengeni, Kontrolli i kufijve, emigracioni në përgjithësi, përfshirë politikën e kthimit, është e gjitha një paketë. Është e rëndësishme që për pjesën e kthimeve, ajo është pranuar nga  të gjitha vendet anëtare. Në fillim na duhet kuadri dhe më pas, duhet bërë gjithçka në javët e muajt e ardhshëm, në kuadër të takimit të Valetës, por veçanërisht duhet punuar me vendet e origjinës që të mund të konkretizojmë kthimet”, tha Jean Asselborn, ministër i Jashtëm, Emigracionit dhe Azilit të Luksemburgut – Presidenca e BE-së.

Bazuar në kërkesën e Këshillit të BE-së, në fund të qershorit të kaluar, Komisioni Europian komunikoi një plan veprimi për kthimin,  riatdhesimet dhe ri-integrimin e personave të padëshiruar në territorin europian, si dhe rekomandoi një udhëzues për kthimet që do të ushtrojnë autoritetet kompetente të shteteve anëtare. Për këtë qëllim do të përdoren jo vetëm burime shtesë financiare, por dhe agjencitë europiane, ndërsa diplomacia europiane do të nxisë për marrëveshje efektive riatdhesimi me të gjitha vendet e treta.

Konkluzionet e Këshillit të BE-së nënvizojnë se plani i veprimit të komisionit “përmban elementë “pragmatik” dhe “operacional” me qëllim rritjen e kapaciteteve të shteteve anëtare për kthimin e emigrantëve të parregullt, duke pranuar plotësisht nevojën për rritjen e bashkëpunimit dhe mbështetjen për vendet e origjinës dhe tranzitit”.

Qasja e re, e paraqitur edhe në tryezën me ministrat e Ballkanit, Turqisë, Libanit, e Jordanisë, krijon kushtet për vendet anëtare që të rikthejnë regjimin e vizave për vendet e treta që refuzojnë të riatdhesojnë, sipas marrëveshjes, shtetasit e kthyer nga BE.

Për një vit rezulton se mbi 500 mijë azilkërkuesëve u është refuzuar qëndrimi në BE, por në realitet vetëm 40 % e tyre kanë ikur mbrapsht. Po kështu, për vendet që nuk përfitojnë ende nga liberalizimi i vizave, apo nuk kanë marrëveshje riatdhesimi në fuqi, BE kërcënon me heqjen e ndihmës financiare, në rast mosbashkëpunimi.

Këshilli fton Komisionin që të ndjek me veprime konkrete njoftimet në Plan-Veprimin e BE-së për kthimet, të identifikojë çështjet që mbeten për t’u zgjidhur dhe të raportojë brenda Janarit 2016 mbi progresin në këtë fushë./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/be-diskuton-masat-per-menaxhimin-e-kufijve-te-jashtem/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala