BE, 11 milion euro për tri pikëkalime kufitare me Serbinë

Autori:Gazeta Fjala

Ministri i Integrimit Evropian, BekimÇollaku dhe drejtori për Ballkanin Perëndimor pranë Komisionit Evropian, Jean-Eric Paquet, nënshkruan gjatë kësaj jave marrëveshjen financiare për ndërtimin e tri pikëkalimeve kufitare të përbashkëta mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të fondeve IPA të BE-së.

Për ndërtimin e pikëkalimeve kufitare të përbashkëta ishte nënshkruar marrëveshje vitin që shkoi në Bruksel nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë sipas konceptit të Marrëveshjes së IBM-it, që parashihte ndërtimin e gjashtë pikave kufitare të përbashkëta, tri prej të cilave tanimë do të mbështeten nga fondet IPA për Kosovën.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, i cili ka sqaruar se për këtë projekt që ka për qëllim modernizimin dhe krijimin e një infrastrukture të nevojshme përcjellëse sipas standardeve të Bashkimit Evropian, për tri pikat e përbashkëta të kontrollit kufitar janë ndarë 11.1 milion euro.

Bëhet e ditur se nga fondet e IPA-s, të ndara për Kosovën do të investohet në pikëkalimet kufitare: Merdarë, Mutivodë dhe Bërnjak, ndërsa për tri pikëkalimet e tjera: Jarinjë, Dheu i Bardhë dhe Muçibabë fondet do të ndahen nga asistenca e BE-së për Serbinë.
Në total në të gjitha këto pika do të investohen mbi 20 milion euro nga fondet e BE-së me qëllim të avancimit dhe modernizimit të infrastrukturës në pikëkalimet kufitare.
Sipas Çollakut, këto pika kufitare do të jenë model për nga pajisjet dhe kushtet e punës.

“Ndërtimi i pikëkalimeve të përbashkët kufitare sipas standardeve më të larta të BE-së nënkupton krijim të lehtësirave në lëvizjen e lirë të njerëzve e të mallrave si dhe rrit sigurinë në kontrollin kufitar.
Një investim i tillë do t’i mundësoj agjencioneve përgjegjëse për menaxhimin e kufirit: Policisë së Kosovës, Doganës së Kosovës, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, të rrisin efikasitetin në menaxhimin e kufirit si dhe parandalimin dhe luftimin e krimit ndërkufitar”, ka thënë Çollaku./Zeri,info

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/be-11-milion-euro-per-tri-pikekalime-kufitare-me-serbine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala