BB dhe FMN fokusohen në përshpejtim të rritjes ekonomike

Autori:Avdyl Pajaziti

Zyrtarë të bankave qendrore dhe të financave nga rreth 200 vende të botës kanë shkuar në Washington për të marrë pjesë në takimet e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilat do të fokusohen tek përshpejtimi i rritjes ekonomike, krijimi i vendeve të punës dhe shmangia e mosmarrëveshjeve politike.

Sipas studimeve të kohëve të fundit, ritmi i rritjes së ekonomisë globale është duke u ngadalësuar ndjeshëm.

Edhe pse kanë rënë ndjeshëm çmimet e naftës, dhe Shtetet e Bashkuara kanë shënuar rritje të fuqishme ekonomike, Drejtoresha e FMN-së thotë se ekonomia globale u rrit vetëm me 3.4 për qind vitin e kaluar. Ndërsa kjo shifër është e përafërt me mesataren e rritjes ekonomike në dy dekadat e fundit, Drejtoresha Ekzekutive e FMN-së  Christine Lagarde thotë se rritja ekonomike nuk është e njëllojtë dhe është tepër e ngadaltë.

\”Duke patur parasysh ndikimin e vazhdueshëm të recesionit të madh, kjo në fakt po krijon vështirësi për shumë njerëz në mbarë botën, përfshirë ato vende  ku më tepër se 50 për qind e rinisë është e papunë. Pra rritja ekonomike që kemi nuk është e mjaftueshme.”

Zonja Lagarde i bëri thirrje vendeve të ndryshme të shfrytëzojnë çmimin e ulët të naftës për të pakësuar subvencionet për energjinë dhe për t’i përdorur paratë e kursyera për të fuqizuar arsimin dhe rritjen ekonomike afatgjatë.

Shefja e FMN-së thotë se përparimi tek marrëveshjet e tregtisë mund të ndihmojë gjithashtu rritjen ekonomike dhe punësimin, ndërsa një qasje më e mirë ndaj kredive mund t’i ndihmojë bizneset e vogla të punësojnë më tepër njerëz.

Ajo bëri thirrje për më shumë investime në infrastrukturë, për të hapur vende pune të përkohëshme dhe për fuqizimin e rritjes ekonomike në afat të gjatë, përmes lehtësimit të rregullave tregtare.

Përmirësimi i infrastrukturës do të jetë gjithashtu fokusi i Bankës së re Aziatike të Investimeve në Infrastrukturë nën drejtimin e Kinës. Disa analistë e shohin atë si një bankë rivale me FMN-në dhe me Bankën Botërore, për të cilat kritikët thonë se dominohen në mënyrë të padrejtë nga vendet e Perëndimit.

Presidenti i Bankës Botërore,  Jim Yong Kim, po bën thirrje që banka e re t’i përmbahet standarteve të larta në trajtimin e çështjeve të mjedisit dhe të fuqisë punëtore.

Ai thotë po ashtu, se rreth 1 miliardë njerëz në mbarë botën luftojnë për të mbijetuar me më pak se 1,25 dollarë në ditë. Zoti Kim zotohet se do të punojë nga afër me Bankën e re, sepse, thotë ai, armiku i varfërisë nuk janë institucionet e tjera.

\”Varfëri do të thotë që 2.5 miliardë njerëz nuk kanë qasje tek shërbimet financiare, si llogaritë bankare. Varfëri do të thotë që 1,4 miliardë njerëz jetojnë pa energji elektrike. Varfëri do të thotë t’i çosh fëmijët për të fjetur në mbrëmje me barkun bosh. …Dhe varfëri do të thotë që të mos shkosh në shkollë, sepse që të mbijetojnë të gjithë anëtarët e familjes, duhet të fitosh disa qindarka çdo ditë.”

Kritikët e Bankës Botërore thonë se huadhënësi ndërkombëtar do ta luftonte më me shpejtësi varfërinë, në se do t’i përshpjetonte përpjekjet për reformimin e burokracisë së vet me përmasa të mëdha, si dhe duke përmirësuar mbrojtjen për njerëzit dhe mjedisin, që sipas tyre, dëmtohen nga projektet e Bankës.

Nezir Sinani, i grupit Qendra e Informimit të Bankës, thotë se shqetësohet nga propozimet për t’i kërkuar vendeve huamarrëse që të zbatojnë rregullore për sigurinë në punë dhe për ruajtjen e  mjedisit.

\”Kjo do të sjellë probleme të mëdha në shumë vende që ne i dimë sot, se nuk kanë bërë punë të mirë me mbrojtjen e të drejatve të njeriut dhe lirive civile.”

Zyrtarë të lartë të Bankës Botërore dhe FMN-së do t’i diskutojnë këto çështje komplekse dhe të tjera gjatë kësaj jave, gjatë takimeve në Uashington të zyrtarëve financiarë dhe të bankave nga vende anëtare nga e gjithë bota.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/bb-dhe-fmn-fokusohen-ne-pershpejtim-te-rritjes-ekonomike/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala