Batutat e përballjes Rama-Vuçiq

Autori:Avdyl Pajaziti

Shqiptarët dhe serbët qëndrojnë më mirë në marrëdhëniet e tyre se para një viti ndërsa një debat normal mes dy popujve, do të duhej të ekzistonte që prej 25 vitesh. Ky ishte konstatimi i parë i dy kryeministrave, ai shqiptar Edi Rama dhe ai serb, Aleksandër Vuçiq. Të dy vlerësuan se ata kanë nisur transformimin e politikave të të dyja shteteve përballë njëri-tjetrit.

Temë e nxehtë në debat edhe kësaj here ka qenë Kosova. Të dy palët kanë përsëritur qëndrimet e ditura.

Rama këmbëngul që Kosova të njihet nga Serbia dhe Vuçiq që thotë se Serbia nuk do ta bëjë kurrë një gjë të tillë.

Një deklaratë befasuese ka qenë ajo e bërë nga Vuçiq, kur tha se ai “nuk sheh probleme mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë” megjithëse në deklaratat e përditshme, ai thotë të kundërtën.

Edi Rama e quajti “turp për Europën” izolimin e popullit të Kosovës dhe kërkoi që kjo gjendje duhet të ndryshojë sa më parë.

Vuçiq në këtë debat, tha se “nëse nuk ka ndonjë punë më të madhe”, ai do ta marrë shallin që ka flamurin serb dhe do të niset për në Elbasan më 8 tetor, për të parë ndeshjen e kombëtareve.

Kryeministri Edi Rama tha se nuk do të ketë kurrë të ashtuquajtur “Shqipëri e Madhe” dhe se ky është ushqim për nacionalistët primitivë.

“Askush nuk flet për “Great Albania” kur mundësitë dhe kushtet janë tërësisht tjera. Unë besoj se këto mite të së shkuarës janë ushqim për barkun e nacionalizimit primitiv”, – thotë Edi Rama.

Kryeministri serb, thotë se në Bruksel nuk bëhet dialog mes Kosovës dhe Serbisë por mes Beogradit dhe Prishtinës. Thotë se është e rëndësishme që po ndodhë dialogu dhe thotë se nuk sheh asnjë problem mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.

“Ne po bisedojmë me Prishtinën. Jo me Kosovën, ata thonë se po bisedojnë Kosova dhe Serbia. Marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë marrëveshje të mira për asnjërën palë. Rama konsideron se Kosova është e pavarur. Ne serbët konsiderojmë gjëra krejtësisht ndryshe. Unë nuk po shoh problem të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë”, – tha Vuçiq.

Për ta mbyllur vlen të përmendet ironia që Vuçiç bëri me Ramën duke e konsideruar një “lider botëror” ndërsa për veten tha se ishte një “lider lokal” që merrej vetëm me Serbinë. /lapsi.al/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/batutat-e-perballjes-rama-vuciq/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala