Basri Shala mohon statistikat e TKK-së për shfaqjet më të shikuara për këtë sezon

Autori:Avdyl Pajaziti

Sipas tij, shfaqjet që kanë pasur më së shumti shikues janë “Dashnori i nënës sime”, dhe “Gjashtë personazhe ndjekin autorin”, e jo “Shoping and Fucking”, që sipas TKK-së ka dalë të jetë shfaqja me më së shumti shikues për këtë sezon. Ai për KultPlus ka thënë se këtë deklaratë e jep edhe për faktin se ishte asistent regjie i shfaqjes “Dashnori…”, dhe është afër informatave se sa shikues ka pasur kjo shfaqje. Të kundërtën e thonë nga menaxhmenti i TKK-së, të cilët e argumentojnë edhe me dokumente, ku shfaqja “Shoping and Fucking”, ka dalë të jetë shfaqja më e shikuar

Sarandë Selimi

Shfaqja më e shikuar për këtë sezon, duke marr statistikat nga muaji janar deri në qershor të vitit 2015, sipas menaxhmentit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka dalë të jetë shfaqja “Shoping and Fucking”, duke pasuar kështu me shfaqjet e tjera që kanë qenë në repertor të këtij institucioni.

Sa i përket shfaqjes “Dashnori i nënës sime”, ajo përgjatë këtij sezoni, sipas drejtuesve të TKK-ës ka mbledhur shifrën e shikuesve në 536, por me një gjë të tillë nuk pajtohet asistenti i regjisë dhe aktori i kësaj shfaqje, Basri Shala, i njohur si Virusi. Ai në një rrëfim për KultPlus tha se kjo gjë është e manipuluar.

“Të thuash se shfaqja “ Dashnori i nënës sime”, gjatë gjithë jetës së vet, i paska pasur pak mbi 500 shikues, këtu ose duhet të jesh pika e budallës, ose problem me shikimin, ose vjedhje të parave të biletave. Kujtoj se shfaqja, “Gjashtë personazhe…”dhe “Dashnori…”, kanë qenë ndër shfaqjet më të shikuara deri në muajin prill. Në shfaqjen “Dashnori i nënës sime”, unë kam qenë ass.regjie dhe kam pasur një rol episodik, por me përgjegjësi mund të them se repriza me më së paku shikues ka qenë, kur në sallë ishin diku 70 shikues, dhe nëse këtë numër e marrim si standard, me 15-16 repriza del krejt shifër tjetër”, theksoi, Shala.

20150630133407749

Akuzat e Shalës, kryesisht drejtohen drejt kryetarit të Këshillit Drejtues të TKK-sës Jeton Neziraj ku Shala, tha se nuk është hera e parë që ky person manipulon. “Përveç tjerash është pikërisht ky person, që shpesh e luan gjykatën”, vazhdoi më tej Basri Shala.
E sa i përket kësaj, kryetari i Këshillit Drejtues të TKK-ës, Jeton Neziraj tha se kjo është çështje e menaxhmentit të TKK-ës. “Unë nuk punoj as në menaxhment e as në biletore të TKK-së. Nëse dikush ka pakënaqësi me këto numra, duhet t’i drejtohet menaxhmentit të teatrit për informata e sqarime shtesë”, tha Neziraj.
Ndërsa për këtë rast menaxhmenti i teatrit ka thënë se këto janë statistikat për këtë sezon dhe sipas tyre nuk mund të jenë të tjera, duke e dëshmuar këtë edhe me fotografi./KultPlus.com

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/basri-shala-mohon-statistikat-e-tkk-se-per-shfaqjet-me-te-shikuara-per-kete-sezon/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala