Bashkohen Dogana dhe Administrata Tatimore

Ministri i Financave, Avdullah Hoti ka njoftuar se është duke u bërë bashkimi i Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës në një organizatë të vetme. “Kjo po bëhet për të rritur efikasitetin”, tha Ministri Hoti.
Ai këtë njoftim e bëri gjatë një takimi që pati me anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë. Ministri Hoti njoftoi se paralel me këtë është duke u u diskutuar edhe mundësia e uljes së pragut të TVSH-së.
“Sa i përket rimbursimit të TVSH-së, ne do ta rrisim efikasitetin”, u ka premtuar Hoti biznesmenëve.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, shprehu gatishmërinë e anëtarëve të kësaj organizate për dialog konstruktiv me Ministrinë e Financave dhe me Qeverinë e vendit në përgjithësi për çështjet që afektojnë bizneset dhe mjedisin e të bërit biznes.
Zeka tha se beson se Ministria e Financave do të vazhdojë të shtyjë përpara disa prej iniciativave të nisura më parë për lehtësira fiskale për investimet e reja.