Bashkimi kombëtar ka ndodhur, thotë Edi Rama

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur sot rrjetet sociale për të bashkëbiseduar me qytetarët dhe për t’iu përgjigjur shqetësimeve të tyre. Kryeministri ka bashkëbiseduar për një sërë çështjesh që nga ndryshimet në qeveri, te marrëdhëniet me Metën, azilkërkuesit apo çështjet rajonale.

Për ndryshimet në qeveri Edi Rama ka deklaruar se nuk ka asnjë plan për ndryshime në kabinet. “S’ka plan për ndryshime në kabinetin qeveritar. Ky kabinet është produkt i kontratës me popullin shqiptar në 23 qershor 2013”, shkruan ai.

Në lidhje me operacionin për biznesin informal që pritet të nisë së shpejti, kryeministri deklaron se kjo është një betejë e jashtëzakonshme në mbrojtje të tyre, të konsumatorit dhe biznesit të ndershëm që paguan taksa”.

Kryeministri është pyetur edhe për çmimin e naftës, që është më i larti në rajon. Ai ka thënë se në Shqipëri brenda çmimit të naftës është edhe taksa e qarkullimit. “Diferencën e bën fakti se në rajon taksa e qarkullimit është e ndarë nga çmimi dhe paguhet veç. Në Shqipëri paguhet brenda çmimit”, është shprehur kryeministri.

Lidhur me shqetësimin se pse po ikin kaq shumë qytetarë shqiptarë nga Shqipëria në Gjermani e në vende të tjera të BE-së, kryeministri tha se :”Është fakt që dihet tanimë dhe nga autoritetet atje se shumica dërrmuese e shqiptarëve s’janë të ikur nga Shqipëria po nga Greqia!”, ka thënë Rama.

Një tjetër pyetje që i drejtojnë qytetarët kryeministrit Rama ka të bëjë me çështjen e Bashkimit Kombëtar, pra se kur do të ndodhë ky bashkim. Por kryeministri, ndonëse figurativisht, thotë se: “Ky bashkim kombëtar ka ndodhur, dhe na takon ne ta bëjmë realitet të prekshëm pa kufij për ekonominë dhe çdo ndërveprim shoqëror”.

Lidhur me marrëdhëniet me aleatin e tij Ilir Meta, për të cilin thuhet kohët e fundit se nuk janë fort të mira dhe se ka hatërmbetje që nga rezultati i zgjedhjeve të 21 qershorit, kryeministri përgjigjet se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar dhe se marrëdhëniet me Metën: “Janë më të mira se asnjëherë më parë qysh se kemi vendosur të qeverisim Shqipërinë së bashku”.

Rama ka folur edhe për fenomenin e kontrabandës në dogana, për të cilin thotë se është minimizuar ndjeshëm. “ Mos dëgjoni bufat e natës politike! Po sigurisht që lufta bëhet përditë”, ka shkruar ai. Po ashtu lidhur me punësimin dhe varfërinë në vend kryeministri, thotë se pagat do të rriten kur të ulet informaliteti. “Kush do rritje page mos të lërë kupon pa marrë kur blen një mall apo pi qoftë një kafe”, thotë Rama.

Ai ka folur edhe për turizmin, duke u ndalur në Vlorë. “Lungomarja e famshme do përfundojë kur ka afatin për të përfunduar dhe mos harroni është vepra më madhore për Vlorën në 25 vjet”, shkruan Rama lidhur me projektin e qytetit bregdetar.

Shëndetësia falas ka qenë një tjetër pyetje e qytetarëve, për të cilën Rama përgjigjet se: “Kontrolli falas mbi 40 vjeç është fakt tanimë, sistem shëndetësor falas nuk është si çatitë pa leje që ndërtohen brenda natës”./Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/bashkimi-kombetar-ka-ndodhur-thote-edi-rama/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala