Bashkëshorti i kryetares së Kushtetueses rehatohet në Ministrinë e Drejtësisë

Autori:Zekirja Shabani

Kryetarja e sapo emëruar e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama – Hajrizi, pas emërimit në postin e të parës në Kushtetuese, ka rehatuar bashkëshortin e saj në Qeverinë e Kosovës. Për t’i siguruar një vend pune në Ministrinë e Drejtësisë, është përkujdesur ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuqi.

Ai në ministrinë e tij, në postin e Udhëheqësit të Divizionit për Komunikim Publik, ka përzgjedhur Orhan Hajrizin.

Në njoftimin për përzgjedhjen e Orhan Hajrizit të Ministrisë së Drejtësisë, thuhet se përzgjedhja është bërë duke u bazuar në ligj dhe në numrin pikëve që ka fituar.

“Ministria e Drejtësisë, në bazë të Nenit 41, paragrafi 2 të Rregullores Nr. 02/2010 për Procedurat e Rekrutimit në Shërbimin Civil, bënë njoftimin për shpalljen e rezultateve të procedurës së rekrutimit për konkursin e shpallur me datën: 30.04.2015, me numër reference: MD/DKP/30 – 04- 01 – 2015; Titulli i vendit të Punës: Udhëheqës i Divizionit për Komunikim Publik; Emri dhe Mbiemri: Orhan Hajrizi; Pikët e përgjithshme të fituara (me përqindje) : 83.45%”, theksohet në njoftim, shkruan Telegrafi.

Ndryshe, Arta Rama-Hajrizi postin e kryetares së Gjykatës Kushtetuese e ka marrë nga Enver Hasani.

“Në seancën e mbajtur të enjten, sot në përputhje me Nenin 114, pika 5, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kanë zgjedhur gjyqtaren, mr. sc. Arta Rama-Hajrizi, kryetar të ri të Gjykatës”.

Sipas një njoftimi të Gjykatës Kushtetuese, Gjyqtarja Arta Rama-Hajrizi do të marrë postin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës pasi të përfundojë mandati i kryetarit aktual, prof. dr. Enver Hasani, më 26 qershor 2015”, theksohet në njoftim.

Por, përzgjedhja e bashkëshortit të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese Arta Rama – Hajrizi, Orhan Hajrizi sipas Ministrisë së Drejtësisë është bërë nga 28 kandidatë, ku prej j tyre 7 janë përzgjedhur për testin me shkrim, deri sa për intervistë me gojë janë përzgjedhur 5 kandidatë.

“Me datën 19/12/2014 nga Divizioni për Komunikim Publik është parashtruar Kërkesa për fillimin e procedurave për shpalljen e Konkursit te brendshëm për Pozitën: Udhëheqës i Divizionit për Komunikim Publik.

Me datën 29/12/2014 nga Divizioni për Burime Njerëzore (DBNJ) është parashtruar Kërkesa ne MAP për autorizimin e shpalljes se Konkursit me ç’rast me datën 06/01/2015 është pranuar nga DBNJ Autorizimi i shpalljes se Konkursit nga ana e MAP.

Fillimisht, Konkursi i brendshëm për Pozitën Udhëheqës i Divizionit për Komunikim publik është shpallur me datën 04/02/2015 dhe ka qene i hapur 8 dite, gjegjësisht deri me datën 11/02/2015.

Në ketë Konkurs kanë aplikuar gjithsej pesë (5) kandidatë, ku dy (2) prej tyre kanë marrë pjesë ne test me shkrim. Pas vlerësimit të testeve me shkrim, Komisioni rekrutues ka rekomanduar anulimin e Konkursit me arsyetimin se vetëm një (1) Kandidat ka qenë i suksesshëm duke arritur ta tejkaloj numrin minimal të pikëve të kërkuara dhe rrjedhimisht ka qenë e pamundur që të vazhdohet me procesin e rekrutimit.

Pas aprovimit të rekomandimit nga ana e Komisionit rekrutues si dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i MD-së, Konkursi në fjalë është anuluar me datën 21/04/2015.

Me datën 27/04/2015 është parashtruar Kërkesa nga ana e Divizionit për Komunikim Publik për ri-shpalljen e Konkursit. Me datën 28/04/2015 DBNJ ka parashtruar prapë Kërkesën ne MAP për autorizimin e ri-shpalljes se Konkursit dhe me datën 29/04/2015 nga ana e MAP është aprovuar kërkesa për ri-shpallje. Kështu që Konkursi i jashtëm (ri-shpallje) është publikuar me datën 30/04/2015.

Me datën 30/04/2015 në gazetën ditore dhe ne ueb-faqen e MD-se është publikuar ri-shpallja e Konkursit në fjalë. Ky Konkurs ka qene i hapur pesëmbëdhjetë (15) ditë, gjegjësisht deri me datën 14/05/2015.

Gjithsej kanë aplikuar 28 kandidate, 7 Kandidat janë përzgjedhur të marrin pjesë në test me shkrim, kurse 5 prej tyre kanë kaluar testin me shkrim dhe janë ftuar në Intervistë e cila është mbajtur me datën 19/06/2015.

Komisioni rekrutues ka rekomanduar z. Orhan Hajrizi në bazë të meritës të emërohet në këtë Pozite. Pas aprovimit të rekomandimit nga ana e Sekretarit te Përgjithshëm me datën 23/06/2015 DBNJ ka ftuar Kandidatin të pranoj njoftimin zyrtar për përzgjedhjen e tij ne këtë Pozitë. Në të njëjtën kohë Ministria e Drejtësisë në ueb faqen e saj ka publikuar emrin e Kandidatit të përzgjedhur dhe piket e fituara në bazë të vlerësimit të Komisionit rekrutues.

Gjithashtu, DBNJ ka informuar kandidatët tjerë pjesëmarrës në Interviste për mos-përzgjedhjen e tyre, duke i informuar ata për afatin 30-ditësh për të drejtën për ankesë. Kjo është bërë në përputhje me të drejtën e qasjes në dokumente zyrtare, që e kanë të gjithë qytetaret e interesuar konform Ligjit nr. 2003/12 për Qasje në Dokumente Zyrtare, gjithnjë duke pasur parasysh edhe respektimin e të dhënave personale, që është e rregulluar me Ligjin nr. 03/l-172 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Sa i përket çështjes së konfliktit të interesit, kjo është e rregulluar me Ligjin nr. 02/l-133 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik. Kështu që këtë sqarim mund ta kërkoni në Agjencinë Kundër Korrupsionit”, thuhet në përgjigjët e Zyrës për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Drejtësisë për Telegrafin.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/bashkeshorti-i-kryetares-se-kushtetueses-rehatohet-ne-ministrine-e-drejtesise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala