Baraliu kërkon që Presidenca dhe Kuvendi të mos shfrytëzohen për fushatë zgjedhore

Autori:Gazeta Fjala

Selinë e të parit të vendit Vjosa Osmani e shfrytëzoi për pritje të atyre që iu bashkuan nismës së saj politike.

Zyrat e Presidencës u kthyen në seli të iniciativës politike nga ushtruesja e detyrës së Presidentës.

Edhe disa nga vartësit e saj nuk kursyen asgjë për të përkrahur e promovuar shefen e tyre në Presidencë e në Kuvend.

Kjo e fundit po shihet me shqetësim nga njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Sipas Mazllum Baraliu ligjet në fuqi e theksojnë qartë se stafi profesional në institucione duhet të jetë jopolitik dhe i paanshëm.

“Vjosa Osmani nuk është presidente por ushtruese e detyrës, por edhe po të ishte nuk kanë të drejtë të përfshihen në agjenda politike sepse të gjithë ata janë staf profesional. Në fakt nuk kanë ndonjë status të rregulluar por do duhej ta kishin statusin e shërbyesve civil. Si shërbyes civil duhet të jenë jopolitik dhe të paanshëm në punën e tyre profesionale. Nuk duhej të kishin asnjë interferim dhe asnjë ndihmesë, nga angazhimi stafit profesional në presidencë”,  ka deklaruar ai.

Baraliu për Gazetën inFokus ka thënë se  askush në Kuvend apo Presidencë nuk duhet të ndihmojnë eproret e tyre për interesa partiak.

“Kushdo që është në presidencë dhe kuvend, duhet të bëjnë punën e tyre, për këshilla profesionale. Është në kundërshtim me dispozitat dhe është konflikt interesi. Në asnjë mënyrë nuk duhet të përkrahet, i ndalon ligji për shërbyesit civil të merren me fushatë dhe të ndihmojë eproret e tyre”, është shprehur ai.

Baraliu shtoi se respektimi i kësaj është një domosdoshmëri pasi ligjet në fuqi e diktojnë këtë.

Pas dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi, detyrën si president në vend e ka  marrë kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani. /Gazeta inFokus/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/baraliu-kerkon-qe-presidenca-dhe-kuvendi-te-mos-shfrytezohen-per-fushate-zgjedhore/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala