Banorët vuajnë nga kundërmimi, Komuna dhe KUR, bartin përgjegjësitë

Autori:Gazeta Fjala

Pavarësisht se kanali që ndodhet në “Tauk Bahçe” kutërbon erë të keqe dhe të rëndë, faji për këtë problem mbetet ende jetim. Derisa nga Komuna e Prishtinës fajin për këtë gjendje e hedhin te kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, zyrtarët e KUR “Prishtina” theksojnë se nuk janë përgjegjës për këtë gjendje dhe se Komunës i takon ta sanojë këtë problem.

Zëdhënësja e KUR “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka thënë për Telegrafin se problemi në këtë kanal nuk ka fare të bëjë me kompaninë ku punon, por tek Komuna e Prishtinës.

Ajo ka sqaruar se në anën e djathtë të kanalit ndodhen disa shtëpi që tërë kanalizimet i derdhin në atë përrua dhe se 90 për qind e atij kanali është i mbushur me ujëra të zeza e vetëm 10 për qind e sasisë së ujit në atë kanal përbehet nga ujërat atmosferikë.

“Komuna e Prishtinës është dashur që të ndërtojë një rrjet të kanalizimit në afërsi aty, që të gjitha shtëpitë të kyçeshin në atë rrjet e jo në kanalin që është i hapur e që do të duhej të shërbente vetëm për ujërat atmosferike. Ne si Ujësjellës javën e kaluar kemi intervenuar atje dy herë, sepse përgjegjësia e jonë është mirëmbajtja e pusetave të kanalizimit, e jo ndërtimi i rrjetit të kanalizimit ku do mund të kyçeshin banorët e asaj ane. Ky problem kryekëput i takon Komunës së Prishtinës”, ka thënë Mjeku.

Nga zyra për media në Komunën e Prishtinës kanë thënë për Telegrafin se Drejtoria e Inspeksionit, pas ankesave të qytetarëve, ka dalë në terren dhe e ka inspektuar situatën. Sipas tyre, Inspeksioni ka konstatuar se ka rrjedhje nga një tub i kanalizimit, për çka e kanë njoftuar menjëherë kompaninë KUR “Prishtina”.

“Është në kompetencë të tyre që këtë problem ta zgjedhin”, kanë theksuar nga zyra për informim e komunës së Prishtinës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/banoret-vuajne-nga-kundermimi-komuna-dhe-kur-bartin-pergjegjesite/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala