Banorët e Kalabrisë në hall me kundërmimin e kanalizimeve (Foto)

Autori:Avdyl Pajaziti

Banorët e lagjes “Kalabria” në një takim që kanë mbajtur, i kanë shprehur disa shqetësime të tyre, por kryesorja ke qenë kundërmimi nga depërtimi i ujërave të zeza në disa sipërfaqe të banueshme.

Për ndërtimin e kolektorit mbi lumin “Mat”, drejtori Xhelal Sveçla i ka njoftuar banorët se sipas informatave të Drejtorisë së Infrastrukturës, kontrata për këtë ndërtim tashmë është nënshkruar dhe pas mënjanimit të disa problemeve pronësore, ky projekt do të fillojë së realizuari.

Sipas një komunikate për media, disa prindër të pranishëm shfaqën edhe shqetësimin e tyre për kushte në shkollën “7 Marsi”, respektivisht problemet me nyjet higjieno – sanitare, mungesa e sallës së sportit, problemet me dritaret, etj.

Kërkesë tjetër e banorëve të pranishëm ishte edhe ndriçimi publik i disa rrugëve në këtë lagje, shtimi i një linje të transportit publik si dhe mirëmbajtja e nënkalimeve tek rrethi kryesor.

Gjithashtu, banorët dorëzuan edhe lista me kërkesa konkrete, ndërsa u ankuan se disa kompani të caktuara të ndërtimin e kanë dëmtuar rrugën kryesore me makinerinë e tyre duke e bërë në masë të madhe vështirë të kalueshme.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Ardian Gashi, i informoi të pranishmit se në kuadër të zgjerimit të rrjetit të ndriçimit janë planifikuar edhe rrugë në këtë pjesë të qytetit, mirëpo tha se do të shqyrtohen mundësitë edhe për përfshirjen e rrugëve që janë të domosdoshme për banorët. Gashi, gjithashtu, i informoi edhe lidhur me emërtimet e rrugëve dhe punën që është duke e bërë komisioni, ndërsa tha se ky projekt do të fillojë së realizuari pas votimit në asamblenë komunale.

Sipas komunikatës, lidhur me problemet për mungesën e parkingjeve, drejtorët e Komunës thanë se është duke u punuar që përgjithësisht të zgjidhet ky problem që është i theksuar në të gjitha zonat e kryeqytetit.

Bëhet e ditur se për shkak të pyetjeve të shumta që ndërlidheshin me çështjet e infrastrukturës dhe urbanizimit, në fund të këtij diskutimi u dakordua që të organizohet edhe një diskutim publik me drejtorët e drejtorive përkatëse.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/banoret-e-kalabrise-ne-hall-me-kundermimin-e-kanalizimeve-foto/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala