Bankat nuk sigurojnë klientët, u vidhen paratë online

Autori:Avdyl Pajaziti

Krimi kibernetik është një fenomen gjithmonë në rritje kudo në botë, e nga ky fenomen nuk është imun as Kosova.

Njëra nga format e veçanta të krimit kibernetik është ajo e vjedhjes së parave për blerje online, duke u kyçur në llogaritë e përdoruesve në bankat ku klientët kanë të deponuara paratë. Por jo gjithmonë bankat në Kosovë ofrojnë sigurinë e duhur për klientët që janë cak i këtyre mashtrimeve.

Të shpeshta janë rastet kur klientët e bankave në Kosovë përballen me këtë gjë. E njëjta i ka ndodhur edhe Armend Krasniqit nga Dragashi, të cilit për vetëm 24 orë i janë vjedhur 250 euro. Nga llogaria e tij bankare dikush kishte bërë blerje online, por Armendi.

Përveçse ka rezultuar në humbje, banka ku ka ndodhur rasti, nuk është se ka dhënë ndonjë llogari, me arsyetimin se klienti duhet ta ruajë vetë kartelën.

Armendi duke folur për rastin e tij, tha për lajmi.net, se asnjëherë në jetën e tij nuk ka bërë blerje online, ndërsa banka nuk po e merr përgjegjësin që t’ia kthej paratë.

E raste të ngjashme janë gjithmonë në rritje. Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net edhe zëdhënësi i Policisë në Prishtinë, Daut Hoxha. Ai ka thënë se krimi kibernetik është në rritje, edhe pse jep ndonjë numër të caktuar të këtyre rasteve.

“Referuar numrit të rasteve gjatë vitit 2014 dhe gjysmës së parë të vitit 2015, mund të themi se ka rritje të rasteve që kanë të bëjnë me mashtrime përmes internetit. Policia e Kosovës ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore sipas Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale. Me fjalë tjera, zhvillohen hetime me qëllim identifikimin e kryesve të mundshëm të cilët ka mundësi të jenë si brenda edhe jashtë vendit si dhe gjetjen e provave”, sqaron Hoxha. E sa i përket dëmeve që iu shkaktohen personave që janë viktima të këtyre rasteve, Hoxha thotë se për shkak se rastet janë në procedurë hetimore nuk preferohet të jepen detaje tjera.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, në një përgjigje me email për lajmi.net ka thënë se Shoqata e Bankave të Kosovës ka një bashkëpunim mjaft të mirë me njësite kundër krimeve kibernetike në Policinë e Kosovës.  Sipas tij bankat vazhdimisht janë duke investuar në sistemet e tyre të sigurisë në mënyrë që klientët e tyre të jenë të sigurt.

“Si pjesë e masave të parandalimit të këtyre krimeve, bankat udhëzojnë klientët e tyre se si duhet të përdorin, në baza më të sigurta, kartelën e tyre por edhe shërbimet e tjera bankare psh.e-banking, mirëpo është edhe obligim i klientit që të kenë kujdes se çfarë transaksione autorizojnë, ku i japin të dhënat e tyre konfidenciale për realizimin e pagesës si dhe duhet të kenë kujdes mbi pajisjet e tyre elektronike të cilat ata i përdorin, në mënyrë që të jenë te certifikuara dhe te jene te pajisura me sistemet e nevojshme te antiviruseve”, ka thënë Balija.

Sipas tij, në këtë mes nevojitet një bashkëpunim i ndërsjellët ndërmjet bankave, klientëve dhe institucioneve përgjegjëse të Kosovës në identifikimin e këtyre rasteve dhe parandalimin e këtyre rasteve.

Edhe Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi konsideron se një nga krimet më të përhapura në ditët e sotme, i cili nuk njeh kufij është krimi kibernetik, i cili sipas tij, rrezikon qytetarët por edhe institucionet shtetërore.

“IKD vlerëson se për të luftuar me efikasitet dhe efektivitet këtë lloj krimi, duhet që një seri e veprimeve të caktuara të kriminalizohen me ligj. Duke pasur parasysh se krimi kibernetik është një lloj i krimit më i avancuar se krimet e zakonshme, kërkon edhe qasje të veçantë të hetimit dhe ndjekjes”, vlerëson Musliu.

Madje, ai thotë se krimi kibernetik nuk është i izoluar dhe se gjithmonë ndërlidhet me ndonjë krim tjetër duke përfshirë këtu përfitimin e mjeteve financiare, dëmtimin e personave të caktuar, shkeljen e të drejtave të autorit, pornografi të të miturve, spiunazh, krime ndër-shtetërore, dhe krime tjera. E gjithë kjo, sipas tij, është një fushë e re për Kosovën.

Sipas Musliut, në këtë drejtim, mungojnë resurset e nevojshme profesionale në sistemin e drejtësisë përfshi Policinë, Prokurorinë dhe Gjykatat që të trajtojnë me profesionalizëm këtë lloj të krimit, i cili paraqitet sfidues kudo në botë.

Përndryshe, sipas eksperteve të Këshillit te Evropës, vetëm me karta të kreditit çdo vit vidhen rreth 400 milionë dollarë. Viruset shkaktojnë rreth 12 miliardë dollarë në vit dëme, në të drejtën pronësore shkaktojnë humbje rreth 250 miliardë dollarë. /lajmi.net

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/bankat-nuk-sigurojne-klientet-u-vidhen-parate-online/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala