Bankat në Shqipëri presin të ulen kamatat për kreditë

Autori:Avdyl Pajaziti

Siç bëjnë të ditur ekspertët e Bankës së Shqipërisë për tremujorin në vazhdim, bankat presin të ulen normat e interesit për kredinë në lekë.

Politika monetare lehtësuese ka qenë faktor mbështetës për lehtësimin e standardeve të kreditimit.

Për tremujorin në vazhdim, bankat presin që normat e interesit për kredinë në lekë të ulen, bëjnë të ditur ekspertët e Bankës së Shqipërisë.

Në raportin e publikuar nga Banka Qendrore, raportohet se normat e interesit të depozitave në lekë janë rritur lehtë në muajt janar-shkurt. Në terma mesatarë, interesi i depozitave në lekë shënoi 1.56% në muajin shkurt, nga 1.48% në dhjetor.

Rritja e interesit të depozitave në lekë është bërë për të gjitha afatet. Njëkohësisht ka vijuar rënia e interesave për depozitat në euro, duke prekur nivele minimale, të krahasueshme me interesat euribor.

Në muajin shkurt, interesi mesatar për këto depozita arriti 0.33% nga 0.47% në muajin dhjetor 2014. Rrjedhimisht, diferenca midis interesit të depozitave me afat në lekë dhe atyre në euro është zgjeruar, duke përbërë faktor mbështetjeje për monedhën vendase.

Normat e interesit të aplikuara për kredinë e re në lekë u rritën në muajin janar dhe u ulën sërish në muajin shkurt, por pa zbritur në nivelet e dhjetorit. Interesi mesatar i ponderuar për këtë segment rezultoi 8.02% në shkurt, nga 7.75% në dhjetor.

Tremujori i parë zakonisht karakterizohet nga një aktivitet më i dobët kreditues, krahasuar me tremujorin paraardhës, gjë që reflektohet dhe në rritjen e interesave të kredisë.

Sipas BSH-se, shtrëngimi i kushteve të financimit evidentohet edhe nga vrojtimi i aktivitetit kreditues për tremujorin e parë. Bankat janë shprehur për shtrëngimin e standardeve të kreditimit nisur nga gjendja financiare e biznesit dhe e individëve, apo nga problematikat e sektorëve të ekonomisë.

Rritja e interesave këtë fillimvit ka qenë më e theksuar për kreditë konsumatore dhe për kredinë për likuiditet për bizneset. Interesi për kredinë afatgjatë, akorduar për pasuri të paluajtshme, si për bizneset dhe për individët, ka vijuar të ulet.

E parë në një horizont më të gjatë kohor, prirja rënëse e interesave të kredisë në lekë është reflektuar në ngushtimin e diferencave nga indekset referencë – yield-et – dhe nga interesat e aplikuara për kredinë në euro.

Kjo e fundit është luhatur rreth nivelit 6.3% në muajt janar-shkurt, nga 6.4% në tremujorin e kaluar. Bankat kanë aplikuar interesa më të lira për kreditë dhënë individëve dhe rezistojnë t’i ulin ato për kreditë dhënë bizneseve, duke reflektuar rrezikun e perceptuar për këtë kategori huamarrësish, citon raporti i BSH-së.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/bankat-ne-shqiperi-presin-te-ulen-kamatat-per-kredite/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala