Bankat komerciale rrjepin qytetarët

Autori:Avdyl Pajaziti

Bankat komerciale të cilat veprojnë në Kosovë, përveç normave të larta të kredive, aplikojnë standarde të dyfishta gjatë procesit të dhënies së kredive për qytetarë dhe bizneset në vend. Përkundër fitimit të lartë që disa nga to e realizojnë brenda vitit, ato prapëseprapë nuk kanë ndryshuar mënyrën e dhënies së kredive.

Bazuar në të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), gjatë tremujorit të parë 2015, neto profiti i realizuar deri në mars shënoi vlerën 19.9 milionë euro, krahasuar me vlerën prej 9.8 milionë euro të regjistruar deri në mars 2014.

Emanuel Bajra, njohës i sistemit bankar-financiar, analist i derivateve, bonove dhe fondeve “Hedge”, me punë në “City of London”, në Londër, thotë se përderisa Eurozona ka një nivel inflacioni prej 1.85% dhe niveli i kamatave nuk e kalon 5%, atëherë pse bankat në Kosovë nuk aplikojnë të njëjtën metodologji të uljes së kamatave.

 

Ndërkaq, drejtori i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, thotë se bankat duhet t’i respektojnë të gjitha këto ligje sa i përket shpalosjes së normës efektive të interesit dhe informatave të tjera që parashihen me ligj. Ai po ashtu tregon se ka raste kur BQK-ja i ka gjobitur bankat varësisht nga shkeljet që ato kanë bërë.

Në anën tjetër , Besnik Kada, zyrtar për informim në BQK, tha përmes përgjigjeve elektronike se çdo herë kur BQK konstaton se bankat nuk janë në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi, vepron konform kompetencave që dalin nga Ligji i BQK-së dhe Ligji për banka, institucione mikro financiare dhe institucioneve financiare jobankare.

 

Ndërsa Fadil Bajrami, zëvendësdrejtor në Raiffeisen Bank, tha se Banka e tij vepron me transparencë të lartë dhe respekton bazat themelore të marketingut. Por, shton se ka raste kur klientët kanë vonesa në kthimin e këstit të kredisë.

Ndryshe, të dhënat e BQK-së, tregojnë se kreditë e bankave për periudhën tre mujore të këtij viti kanë arritur vlerën prej gjithsej 1.90 miliardë euro, që paraqet rritje vjetore prej 4.3 për qind. Duke arritur vlerën prej 216.3 milionë euro, gjithsej kreditë e reja të lëshuara gjatë tremujorit të parë 2015 u karakterizuan me rritje vjetore prej 8.4 për qind. Ndërsa Norma mesatare e interesit në kreditë ndaj ndërmarrjeve dhe ekonomive familjare në mars 2015 u zvogëlua në 8.9 për qind nga 11.3 për qind sa ishte në mars 2014.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/bankat-komerciale-rrjepin-qytetaret/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala