Banka e Shqipërisë hap Muzeun e Parave (FOTO)

Banka e Shqipërisë çeli sot “Muzeun e Parave”, një muze që ka në thelb valutën shqiptare ndër shekuj, por edhe objekte të tjera historike që lidhen me të shkuarën e Bankës dhe me antikitetin.
I pranishëm gjatë ceremonisë ishte Guvernatori i BSH-së, Gentian Sejko, i cili theksoi se si çdo bankë në botë, edhe ajo shqiptare do të ketë muzeun e saj, për të ekspozuar paranë në të gjithë dimensionet dhe periudhat e saj.
“Përurimi i ndërtesës ishte rasti më i mirë për të përuruar edhe një tjetër jubile modest të punës tonë në këto vite. Ashtu siç është traditë kudo në botë, më në fund edhe Banka e Shqipërisë do të ketë muzeun e saj, të cilin zyrtarisht po e çelim sonte. Në thelb të muzeut qëndron paraja, në të gjitha dimensionet e saj. Aty janë pasqyruar jo vetëm transaksionet fizike dhe roli i saj në periudha të ndryshme të zhvillimit ekonomik të vendit, por edhe forma se si ky aset i çmuar ka evoluar fizikisht, nga forma e çuditshme që ajo kishte në lashtësi, tek sofistikimi i saj përgjatë shekujve, deri në formën e sotme të dukshme dhe atë të padukshme përmes transaksioneve dixhitale”, u shpreh Sejko.