Banka Botërore kërkon ekonomi të zhvilluar

Autori:Avdyl Pajaziti

Drejtoresha e Bankës Botërore për Evropën Juglindore,  Ellen Goldstein, në një intervistë pët studion e Zërit të Amerikës, flet për disa nga sfidat me të cilat përballet Kosova, si papunësia e madhe në radhët e të rinjve, tërheqja e investitorëve të huaj dhe procesi i privatizimeve.

“Krijimi i vendeve të punës ka qenë përparësia jonë kryesore në Kosovë. Banka Botërore e ka mbështetur Kosovën me një strategji dy-pjesëshe. Pjesa e parë synon të përshpejtojë rritjen e sektorit privat dhe pjesa e dytë lidhet me trajtimin e sfidave të mjedisit dhe me menaxhimin e burimeve natyrore me të cilat ndeshet Kosova, që në fund të fundit minojnë rritjen ekonomike të vendit.”

“Kur flasim për shpejtimin e rritjes ekonmike, ne jemi fokusuar në zgjidhjen e problemeve të energjisë me të cilat përballet Kosova; me qëllim që të rritet dhe të gjenerojë vende pune, Kosova duhet të ketë një sistem energjetik që të funksionojë gjithmonë.”

“Aktualisht vendi ka një termocentral të vjetëruar, prandaj duhet të ketë një furnizues gjithëpërfshirës me energji. Kjo do të realizohet përmes një termocentrali të ri, përmes zhvillimit të formave alternative të energjisë, marrjes së energjisë nga fqinjët dhe së fundi, duke u përpjekur për përdorimin me efiçencë të energjisë”, ka thënë Goldstein.

Nevoja për ndërtimin e një termocetrali të ri në Kosovë sipas saj është shumë e madhe.

“Ndërsa përpiqemi për një strategji të re gjithëpërfshirëse për energjinë në Kosovë, duhen patur parasysh format e ndryshme të energjisë dhe shfrytëzimi i tyre siç duhet; ne themi me një hamendje optimiste, se në 20-25 vjet Kosova do të duhet të bazohet tek një termocentral i ri, i cili të shfrytëzojë burimet e bollshme të linjitit që ka vendi”, theksoi ajo.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/banka-boterore-kerkon-ekonomi-te-zhvilluar/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala