Banda shqiptare me synim plaçkitjen e ministrit çek

Autori:Avdyl Pajaziti

Një bandë kriminale prej nëntë anëtarësh, shumica prej të cilëve shqiptarë, kishte planifikuar të grabiste vilën e ministrit çek të Financave, njëherësh zëvendëskryeministër, Andrej Babis dhe të merrte peng djalin e tij.

Kjo histori daton një vit më parë, por tashmë është zbuluar nga mediat çeke pas informacioneve të marra nga forcat e sigurisë.

Grupi i hajdutëve është arrestuar në vitin 2014 dhe hetimi ndaj kësaj bande është thuajse në përfundim.

Rezidenca e ministrit çek është një nga shtëpisë e njerëzve më të pasur në Pragë, kjo është edhe një nga arsyet përse banda e shqiptarëve e kishte përzgjedhur si objektiv për ta grabitur.

Në këtë kontekst, mediat çeke përjashtojnë mundësinë që ngjarja të lidhet me motive politike.

Shqiptarët, që përbëjnë shumicën në këtë grup kriminal, gjatë qëndrimit në Çeki kishin marrë instruksione nga një bashkëpunëtor çek për mënyrën se si do të grabisnin vilën e ministrit.

Banda e grabitësve prej muajsh ishte nën monitorimin e policisë çeke pas informacioneve të siguruara se vila e një biznesmeni në Pragë do të grabitej.

Gjatë përgjimit të të dyshuarve dhe infiltrimit të një dedektivi u zbulua se bëhej fjalë për dy plane, grabitjen e vilës së një biznesmeni në Pragë dhe të rezidencës së ministrit Babis.

Por banda duket se u tërhoq nga plani, për shkak të masave të larta të sigurisë në vilën e ministrit çek Andrej Babis dhe të familjes së tij. Pavarësisht kësaj, anëtarët e bandës kishin parë mundësinë e rrëmbimit të fëmijës së ministrit.

Sipas mediave çeke, banda kish fituar sigurinë se nuk do të zbulohej nga policia, deri në infiltrimin e dedektivit që nxori në pah të gjithë planin e tyre.

Tashmë grupi kriminal ndodhet në paraburgim dhe pritet që së shpejti anëtarëve tu komunikohen akuzat. /shqiptarja/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/banda-shqiptare-me-synim-plackitjen-e-ministrit-cek/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala