Ban ki Moon: Dhuna e djeshme e papranueshme

Autori:Avdyl Pajaziti

Organi Ekzekutiv i Kombeve të Bashkuara do të diskutojë dhe debatojë sot në New York për raportin tremujor të Sekretarit të Përgjithshëm dhe për zhvillimet e ditëve të fundit në Kosovë.

Bosht i raportit të fundit për zhvillimet në Kosovë, i hartuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban ki Moon, ka qenë thirrja për ndalje të dhunës për ç’gjë ai ka akuzuar drejpërdrejt partitë opozitare.

“E dënoj përdorimin e dhunës dhe frikësimin nga partitë opozitare që pengojnë punimet normale të Kuvendit të Kosovës, si dhe sulmet e papranueshme fizike nga ana e aktivistëve të opozitës. Aktet e tilla dëmtojnë besimin e publikut në këto institucione si dhe imazhin e Kosovës në botë,” thekson në raport Sekretari Ban.

Mbi bazë të këtij reflektimi të Sekretarit të Përgjithshëm, por edhe mbi zhvillimet e ditëve të fundit, sot pasdite në New York Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të diskutojë dhe debatojë mbi raportin që përfshin periudhën raportuese prej 16 korrikut deri më 15 tetor, transmeton RTK.

Raporti thekson se janë ‘marrëveshjet e 25 gushtit që kanë nxitur protesta nga partitë opozitare të Kosovës, në përbërje të “Vetëvendosjes,” “Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës” dhe “Iniciativës për Kosovën”. Sekretari Ban në mënyrë kronologjike ka regjistruar në raport incidentet dhe ndërprerjet e punës së Kuvendit si rezultat i hedhjes së gazit lotsjellës dhe dhunës tjetër të përdorur. Veprimet që janë parë në tetor, sipas Sekretarit të Përgjithshëm janë ‘të papajtueshme me parimet dhe normat e një shoqërie të civilizuar dhe demokratike.’

Në seancën e sotme Kosovën do ta përfaqësojë ambasadorja në Washington DC, Vlora Çitaku, ndërsa Serbia përfaqësohet nga shef i diplomacisë, Ivica Daçiq.Mosardhja e zëvendëskryeministrit dhe Ministër i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi është arsyetuar me nevojën e qëndrimit në Kosovë pas përshkallëzimit të situatës dhe protestave të ditëve të fundit. Kryesuese e radhës në takimin e sotëm do të jetë Britania e Madhe./express

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ban-ki-moon-dhuna-e-djeshme-e-papranueshme/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala