Ballkani Perëndimor në kërkim të decentralizimit efikas

Reforma administrative-territoriale hap i rëndësishëm në procesin integrues të Republikës së Shqipërisë. Ndërsa, Shoqatat apo siç i quajmë ne Asociacionet në Republikën e Shqipërisë duhet të gjejnë rrugën për funksionimin si një e vetme duke u bërë zë i fuqishëm i përfaqësimit të interesave të komuniteteve vendore.
Në kuadër të Konferencës Kombëtare për Qeverisje Vendore në Republikën e Shqipërisë, që u mbajt sot në Tiranë, në cilësinë e ekspertit të pushtetit lokal prezantoi Besnik Tahiri drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, tha se vendet e Ballkani Perëndimor janë në kërkim të vazhdueshëm të një modeli të decentralizimit efikas.
Sipas tij, reforma administrative-territoriale, është hapi kryesor për demokratizimin e avancuar, dhe po ashtu instrument për riorganizim strukturor e të mirëfilltë të shtetit dhe shërbimeve që ofrohen nga niveli vendor.
Tahiri theksoi se gjithnjë duhet pasur parasysh se dora e parë e shtetit është qeverisja vendore, dhe shërbimi i parë i qeverisë vjen nëpërmes saj. Pra arritjet e një shteti varen drejtpërdrejt nga suksesi i qeverisjes vendore si institucion. Më një fjalë, shteti është i fortë vetëm kur qeverisja vendore është e fortë. Është e qartë se sfidat në qeverisjen vendore janë ende të mëdha duke nisur kompletimi i legjislacionit, mungesa e kapaciteteve teknike, administrative e financiare. Pra reforma territoriale-administrative do të mbetej vetëm një sukses i pjesshëm nëse kjo reformë në procesin e decentralizimit nuk përcjellët me legjislacion të bazuar në analizë të thellë gjithnjë duke mësuar dhe nga praktikat e vendeve që kanë kaluar nëpër këtë proces.
Ndërkaq duke folur për procesin e decentralizimit dhe reformës në regjion Tahiri tha se aspekt kyç është komunikimi ndër-institucionale. Pra komunikimi ndërqeveritar është aspekt kritik i pushtetit të efektshëm lokal – pa struktura të efektshme dhe efikase të komunikimit, pjesëmarrja e pushtetit lokal në diskutimin dhe hartimin e politikave dhe rregulloreve shtetërore nuk do të jetë e efektshme, dhe zbatimi i rregulloreve dhe politikave të qeverisë qendrore lidhur me pushtetin lokal mund të rezultojë me zbatimin e pabarabartë apo të pjesshëm të legjislacionit, që do të rezultonte me kufizimin e efektshmërisë së tyre.
Andaj, Shoqatat apo siç i quajmë ne Asociacionet në Republikën e Shqipërisë duhet të gjejnë rrugën për funksionimin si një e vetme duke u bërë zë i fuqishëm i përfaqësimit të interesave të komuniteteve vendore.
Kjo konferencë përkon me 30-vjetorin e hapjes për nënshkrim të Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Lokale, 20-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës dhe 15-vjetorin e Ratifikimit të Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Vendore.
Këtë Konferencë Vjetore Ministria për Qeverisje Vendore e organizon në bashkëpunim me te gjithë organizatat ndërkombëtare qe punojnë për decentralizimin the reformat në këtë sferë. /Telegrafi/